Herë pas here edhe mediat shqiptare kanë folur për angazhimin e tij në politikën e huaj. Bëhet fjalë për të riun Abdulhamid Rizvani, me prindër me origjinë nga Jazhinca e Tetovës, por që ka lindur dhe jeton në diasporë. Mësojmë se tashmë ai ka arritur një tjetër sukses dhe gjithashtu është shqiptari i parë në histori që është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak në qytetin e Leverkusenit.
Kujtojmë se në këtë qytet jetojnë mbi 6 mijë shqiptarë, të cilët jo vetëm që ndihen krenarë për bashkëkombësin e tyre, por do të kenë edhe një mbështetje të fortë për të drejtat e tyre atje. Në një bisedë që ne kishim me të, Abdulhamid Rizvani, i cili është gjithashtu edhe anëtar i këshillit të punëtorëve në një kompani, tregoi se fokusi i tij kryesor do të jetë drejtësia sociale. Për të është shumë e rëndësishme barazia e mundësive në arsim për të gjithë fëmijët, pavarësisht prejardhjes apo gjendjes financiare.
Nëse e ndiqni me këtë emër në Instagram, do ta shihni Rizvanin shumë të angazhuar në aktivitetet e tij politike. Një angazhim i veçantë i tij është krijimi i një "Dite të shijes për pensionistët", ku çdo të mërkurë u mundësohet pensionistëve të ushqehen me çmime të reduktuara në një piceri. Ideja lindi kur shqiptari kishte takuar një çift pensionistësh dhe mësoi se pensioni i tyre ishte shumë i vogël.
Ja pra, ka shqiptarë të suksesshëm, me plot arritje dhe zemër të madhe. Urime dhe shumë suksese për Abdulhamid Rizvanin edhe nga ne.
BS