Një shofer nga Kosova, që drejtonte një autobus udhëtarësh nga Serbia, shkaktoi mëngjesin e së enjtes një aksident zinxhir në autostradën A3, në afërsi të Cyrihut.
Ngjarja ndodhi pak pas orës 06:30, kur autobusi po udhëtonte nëpër tunelin Üetliberg. Pas daljes nga tuneli, në nyjën e trafikut Zürich-Süd, shoferi ndaloi mjetin në korsinë e parakalimit në drejtim të Churit, për shkak të trafikut të dendur. Më pas, ai nisi të lëvizte mbrapsht – me gjasë për t’u kthyer drejt qytetit të Cyrihut.
Gjatë këtij manovrimi të rrezikshëm ndodhi një përplasje zinxhir mes pesë automjeteve që po vinin pas autobusit. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua. Pas incidentit, autobusi, i cili ishte plotësisht i mbushur me pasagjerë, vazhdoi udhëtimin në drejtim të Churit.
Një polic që ndodhej në rrugë për në punë pa manovrën e rrezikshme dhe njoftoi menjëherë Policinë Kantonale të Cyrihut. Pas një kërkimi të shpejtë, patrulla e policisë së qytetit lokalizoi autobusin dhe informoi kolegët kantonalë.
Shoferi, një 61-vjeçar me shtetësi të Kosovës, u arrestua përkohësisht nga Policia Kantonale e Cyrihut. Ai do të përballet me Prokurorinë Limmattal/Albis për “shkelje të rëndë të rregullave të qarkullimit rrugor”. Përveç kësaj, atij i është ndaluar drejtimi i automjeteve në territorin e Zvicrës. Hetimet mbi rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende në zhvillim.
Për shkak të aksidentit, u krijuan pengesa të mëdha në komunikacion që u shtrinë deri në nyjën autostradale Zürich-West, pranë Wettswil-it.