Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, zhvilloi sot një takim të ngrohtë e frytdhënës me artistin e njohur të mërgatës shqiptare, z. Arsim Berisha, i cili prej më shumë se tri dekadash jeton dhe vepron në Zvicër. Takimi u mbajt në atelienë e artistit, ku u diskutua për rolin e artit në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet mërgatës dhe institucioneve të Kosovës.
Z. Berisha, piktor, koreograf dhe skenograf me një karrierë të gjatë dhe të pasur, është një ndër emrat më të spikatur të komunitetit artistik shqiptar në Zvicër. Që nga viti 1991, ai ka qenë pjesë aktive e jetës artistike zvicerane, duke kontribuar me profesionalizëm dhe pasion në shumë fusha të krijimtarisë — nga piktura dhe arti mural, te koreografia dhe vallëzimi artistik.
Nëpërmjet Studios Artistike “FENIX”, të cilën e drejton prej vitesh, z. Berisha ka organizuar dhe udhëhequr një sërë aktivitetesh kulturore e skenike, duke përfaqësuar me dinjitet mërgatën shqiptare në festivale e ngjarje ndërkombëtare. Ekspozitat e tij personale dhe kolektive, të mbajtura në qendra të ndryshme arti në Zvicër dhe në disa vende evropiane, kanë zgjuar interes të madh te publiku dhe kritikët e artit, duke e afirmuar emrin e tij si një krijues të veçantë që arrin të shprehë thellësinë shpirtërore dhe emocionet njerëzore përmes ngjyrës, formës dhe lëvizjes.
Gjatë takimit, z. Vigan Berisha ka mësuar sam24.info se e vlerësoi lart kontributin e artistit Arsim Berisha në promovimin e kulturës dhe të artit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar ndër brezat e rinj të mërgatës. U theksua rëndësia që arti dhe kultura kanë si ura lidhëse ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke kontribuar në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe në promovimin e vlerave tona kombëtare në botë
Takimi i sotëm dëshmoi edhe njëherë se mërgata shqiptare në Zvicër është një pasuri e çmuar për kombin tonë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por sidomos në atë kulturor dhe shpirtëror.
Artistë si z. Arsim Berisha janë shembuj frymëzues të përkushtimit dhe dashurisë për atdheun, që përmes artit mbajnë gjallë kujtesën, traditën dhe identitetin shqiptar kudo në botë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin dhe të bashkëpunojnë me krijuesit e mërgatës, duke e parë artin si një urë bashkimi dhe një mjet të fuqishëm për afirmimin e kulturës sonë kombëtare në skenën ndërkombëtare.