Shoqata Humanitare dhe Kulturore Bamirëse “Salih Çekaj” në Zvicër do të shënojë më 6 shkurt 2026, 16-vjetorin e veprimtarisë së saj të pandërprerë humanitare dhe kulturore, një rrugëtim i ndërtuar mbi solidaritet, sakrificë dhe përkushtim ndaj njeriut dhe kombit.
Gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve, shoqata ka realizuar dhjetëra projekte me ndikim të drejtpërdrejtë social dhe humanitar. Falë mbështetjes së anëtarëve, donatorëve dhe kryesive ndër vite, SHBK “Salih Çekaj” ka ndërtuar shtëpi për familje në nevojë, ka ndihmuar në operime dhe shërimin e të sëmurëve, ka pajisur persona me aftësi të kufizuara me karroca elektrike dhe mekanike, ka ndarë bursa për studentë me kushte të vështira ekonomike, si dhe ka shpërndarë ndihma për familje në prag festash. Po ashtu, shoqata ka mbështetur spitale, shoqata dhe institucione të ndryshme humanitare.
Përveç aspektit humanitar, shoqata ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e vlerave kombëtare. Në këtë kuadër janë financuar dhe realizuar botime librash, filma dokumentarë, ekspozita, akademi përkujtimore, memoriale, buste dhe shtatore të heronjve dhe personaliteteve të shquara kombëtare.
Në mesin e projekteve më të spikatura kulturore dhe kombëtare përmenden Ekspozita e Heroit Salih Çekaj, Memoriali i Presidentit Ibrahim Rugova në fshatin Malaj, organizimi tradicional i Darkës së Lamës, bustet dhe shtatoret e heronjve si Adem Ukëhaxhaj, Rrustem Bruçi, si dhe ekspozita kushtuar Heroit Fehmi Agani, krahas shumë akademive përkujtimore dhe promovimeve librash.
Nga kryesia e shoqatës theksohet se këto vepra janë dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe besimit në vlera, duke sjellë ndryshim real në shoqëri. Me rastin e këtij përvjetori, SHBK “Salih Çekaj” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që t’i bashkohen kësaj rruge fisnike përmes anëtarësimit ose kontributit financiar.
Anëtarësia vjetore në shoqatë është 120 franga zvicerane, ndërsa të dhënat e llogarisë janë vënë në dispozicion për të gjithë të interesuarit. Kryesia ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe donatorët që ndër vite kanë mbështetur këtë mision human dhe kombëtar, duke shprehur besimin se së bashku mund të bëhet edhe më shumë në të ardhmen.
Njoftimi i plotë: