Rritja e qirave dhe zëvendësimi i ndërtesave të vjetra po i largojnë familjet me të ardhura më të ulëta nga zonat qendrore. Të dhënat e ETH Zürich tregojnë se banorët e huaj preken në mënyrë disproporcionale.
Zvicra kërkon integrimin e banorëve me prejardhje të huaj, por mungesa e banesave të përballueshme po e vështirëson gjithnjë e më shumë këtë proces.
Debati është aktualizuar të mërkurën nga mediumi zviceran “20 Minuten”, i cili ngre pyetjen se ku duhet të jetojnë migrantët, ndërkohë që qiratë e larta dhe rinovimet po i zhvendosin familjet me të ardhura më të ulëta drejt periferive.
Të dhënat e publikuara nga ETH Zürich tregojnë se ndërtimi i banesave të reja, veçanërisht përmes rrënimit dhe zëvendësimit të ndërtesave ekzistuese, mund të shkaktojë largimin e drejtpërdrejtë të kategorive më të cenueshme.
Sipas analizave, banorët e huaj dhe prindërit që i rrisin vetëm fëmijët preken më shpesh se mesatarja nga humbja e banesave pas rinovimeve ose projekteve të reja ndërtimore.
Familjet e zhvendosura kanë mesatarisht rreth 4.800 franga më pak të ardhura mujore sesa një familje mesatare. Pas rinovimit të një objekti, familjet që vendosen në banesat e reja kanë mesatarisht 3.623 franga më shumë të ardhura mujore sesa qiramarrësit e mëparshëm.
Nga qendra drejt periferisë
Fenomeni është veçanërisht i dukshëm në kantonin e Cyrihut. Personat që nuk mund t’i përballojnë më qiratë në zonat qendrore zhvendosen kryesisht drejt Cyrihut Verior, Regensdorfit, Bülachut, Schlierenit, Dietikonit dhe Adliswilit.
Studiuesit e ETH Zürich theksojnë se ndërtimi i më shumë banesave është i nevojshëm, por paralajmërojnë se ai duhet të shoqërohet me masa sociale. Në të kundërtën, banesat e vjetra dhe më të lira mund të zëvendësohen me apartamente që familjet me të ardhura të ulëta nuk mund t’i përballojnë.
Ndarja e popullsisë sipas të ardhurave mund të ndikojë edhe në qasjen në shkolla, transport publik, vende pune dhe hapësira të përbashkëta. Kjo, sipas studiuesve, dobëson lëvizshmërinë sociale dhe kohezionin ndërmjet grupeve të ndryshme të shoqërisë.
Çështje me rëndësi edhe për familjet shqiptare
Problemi prek edhe një numër të madh familjesh shqiptare që jetojnë me qira në Cyrih dhe në qendrat e tjera urbane të Zvicrës.
Zhvendosja në periferi mund të sjellë udhëtime më të gjata për në punë, shpenzime më të larta transporti dhe largim nga shkollat, shërbimet dhe rrethi shoqëror ku familjet janë integruar prej vitesh.
Në këtë mënyrë, integrimi nuk varet vetëm nga njohja e gjuhës dhe punësimi. Mundësia për të jetuar në lagje të përziera dhe të lidhura mirë me qytetin po bëhet gjithashtu një faktor vendimtar.