Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër, Nue Zalli, ka bërë të ditur se së bashku me mikun e tij, Mark Baftiaj, ka zhvilluar një takim pune në Parlamentin Evropian në Strasburg, me znj. Lucija Prskalo dhe eurodeputetin Davor Ivo Stier.
Përmes një postimi, Zalli ka bërë të ditur se takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për organizimin e një akademie shkencore kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë shpirtërore të Shën Nënë Terezës, figurës së madhe shqiptare me përmasa botërore.
Sipas Zallit, gjatë takimit, përfaqësuesit kroatë shprehën gatishmërinë për t'u angazhuar dhe për të kontribuar në realizimin e kësaj nisme, duke vlerësuar lart figurën e Nënë Terezës, e cila përfaqëson jo vetëm historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar, por edhe vlerat shpirtërore, morale dhe humanitare të mbarë njerëzimit.
Zalli ka shprehur mirënjohje për znj. Lucija Prskalo dhe eurodeputetin Davor Ivo Stier për pritjen e ngrohtë, gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetjen ndaj kësaj nisme me rëndësi të veçantë kulturore dhe shpirtërore.
Ai gjithashtu ka falënderuar mikun e tij, Mark Baftiaj, për angazhimin dhe përkushtimin e përbashkët në këtë rrugëtim, që synon të promovojë dhe të përcjellë më tej trashëgiminë e Shën Nënë Terezës.
Organizimi i një akademie të tillë shkencore pritet të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për të thelluar studimin dhe promovimin e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, duke vënë në pah mesazhin e saj universal të dashurisë, paqes, solidaritetit dhe shërbimit ndaj njerëzimit.