Greqia nuk lëviz drejt njohjes

Aktuale

Greqia nuk lëviz drejt njohjes

Më: 21 prill 2021 Në ora: 21:07
Foto ilustrim

Greqia ia pranon Kosovës pasaportën dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve po rriten. Hiç më larg se të martën virtualisht u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë-Greqi.

Por, është një akt madhor që po mungon nga Republika Helene në raport me atë kosovare, që shpalli pavarësinë para 13 vjetëve.

Qëndrimin refuzues ndaj mëvetësisë së Kosovës, Athina duket se nuk do e ndryshojë së shpejti. Këso sinjale dha shefja e zyrës ndërlidhëse greke në Prishtinë, Chryssuola Aliferi.

“Siç jeni në dijeni Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni I saj mbetet I pa ndryshuar. Në të njëjtën kohë dihet mirë që Greqia ka ndjekur qasje konstruktive kundruall Prishtinës, duke mirëpritur Zyrën për Tregti e Ekonomi të Kosovës në Athinë dhe duke punuar me Kosovën për avancimin e bashkëpunimit në disa fusha”, ka thënë Aliferi.

Ndër vite, por pa konkretizim ka sinjale se shteti helen do ndryshojë qasje në raport më pavarësinë e Kosovës.

Kjo u vërejt më së shumti gjatë vizitës së fundit që e kishte në Prishtinë, ministri grek i punëve të jashtme, Nikos Dendias e zhvilluar më 9 Tetor 2020.

“Nuk bëhet fjalë për shpresë këtu por çështja është te shikimi përpara drejt vendosjes së marrëdhënieve reciproke” tha Dendias.

Ndërkohë Aliferi ka paralajmëruar vizitë kthyese për Denidas nga homologia e re e Kosovës Donika Gërvalla.

“Kur bëhet fjalë për vizitën e Ministres së punëve të jashtme dhe diasporës, zonjës Gërvalla në Athinë ftesa tashmë I është dërguar kurse data e saktë e vizitës do caktohet në kohën e duhur. Dua po ashtu të ju kujtoj se Greqia mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në këtë kontekst po përkrah edhe liberalizimin e vizave”.

Pos Greqisë, janë edhe katër vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, ato janë Spanja, Sllovakia, Rumania e Qipro.

Një marrëveshje finale me Serbinë konsiderohet si mundësi që disa nga kjo pesëshe e sidomos Greqia të ndryshojë qëndrim për njohjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat