Liderët e Ballkanit marrin pjesë në samitin e Bërdo-Brioni

Aktuale

Liderët e Ballkanit marrin pjesë në samitin e Bërdo-Brioni

Më: 17 maj 2021 Në ora: 09:03

Në Bërdo të Sllovenisë zhvillohet sot (17 maj) samiti i shefave të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës së përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë Bërdo-Brijuni, që ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit në procesin e integrimeve evropiane. Me këtë takim kësaj radhe shënohet dhjetë vjetori i kësaj nisme, ndërsa nikoqirë të takimit janë presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor edhe ai i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

Në takim merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vosa Osmani-Sadriu, krahas kolegëve nga shtetet tjera të rajonit, presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, të Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovskit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq të Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina janë ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në prag të këtij samiti ka zhvilluar disa vizita përgatitore nëpër vendet e rajonit. Ai dje (16 maj) në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, bashkë-kryesuesin e samitit të sotëm.

Millanoviq ka thënë se qëllimi i takimit është që t’u ndihmohet fqinjëve që “sa më shpejtë dhe sa më lehtë, nëse është e mundur, të hyjnë në BE”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë në prag të takimit se me rëndësi të madhe është që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t’i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim.

“Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim do të jetë një arritje dhe një shpërblim për kurajon e këtij procesi, pasi shumica e liderëve nga rajoni para dhjetë vjetësh nuk kishin fare raporte dhe nuk bisedonin mes vete”, ka thënë, Pahor duke paralajmëruar se do të ketë biseda të hapura në këtë samit.

Ai ka shprehur bindjen se konkluzat që do të miratohen do të jenë një hap i madh përpara në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, burimet diplomatike kanë thënë se ka pengesa për miratimin e konkluzave të përbashkëta pasi është kërkuar që të gjithë të zotohen kundër ndryshimit të kufijve në rajon.

Ky formulim i është dukur i pa pranueshëm Serbisë e cila ka kërkuar që të shtohet edhe pjesa që duhet të respektohen “kufijtë e njohur nga OKB-ja”, duke sugjeruar kështu se kjo nuk do të vlente për Kosovën pasi ajo nuk është anëtare e OKB-së.

Sipas draftit të kësaj deklarate të përbashkët do të bëhet ftesë për një qasje të përbashkët në procesin e zgjerimit të BE-së. Po ashtu edhe për bashkëpunim më të madh mes vendeve të rajonit.

Gjatë ditës, në margjina të samitit në Bërdo, do të zhvillohen edhe një varg takimesh bileterale.

Nga zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu është thënë se ajo do të ketë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

“Temat që do të diskutohen në takimin në Bërdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Bërdo-Brijuni në 10- vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE-së, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentes së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat