Rizvanolli: Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë

Aktuale

Rizvanolli: Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë

Më: 4 janar 2022 Në ora: 11:35
Artane Rizvanolli

Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovaluatave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se vendimi bazohet në rekomandimet e Komitetit Teknik që u themelua për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministrja Rizvanolli në “facebook”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat