Goran Rakiq: Lista Serbe e pezullon punën në institucionet e Kosovës

Aktuale

Goran Rakiq: Lista Serbe e pezullon punën në institucionet e Kosovës

Më: 25 mars 2022 Në ora: 12:35
Slavko Simiq, Goran Rakiq

Serbët e Kosovës po protestojnë në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Në mesin e protestuesve janë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq dhe Slavko Simiq.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq ka deklaruar se ata do të ngrijën pozitat e tyre në Qeverinë e Kosovës derisa të shfuqizohet vendimi për suspendimin e gjykatës serbe, Liljana  e cila mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Edhe ne, përfaqësuesit e serbëve do ta suspendojmë vetën nëpër institucione, deri sa gjyqtarja të kthehet në punë. Këta njerëz janë të shqetësuar mirëpo nuk janë të frikësuar. Kemi përjetuar shumëçka. Kurti dhe Bislimi kanë shkatërruar marrëveshjen e Brukselit. Derisa të jetë gjyqtarja e suspenduar atëherë edhe ne jemi të suspenduar. Kërkojmë kthimin e saj në punë”, ka thënë ai.

Protestuesit po mbajnë parullat “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po protestojnë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë ardhur në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat