Kurti flet në Twitter për pakon e ndihmave

Aktuale

Kurti flet në Twitter për pakon e ndihmave

Më: 12 prill 2022 Në ora: 22:58
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim për audiencën ndërkombëtare në rrjetin social Twitter për Pakon e mbështetjes financiare me vlerë prej 100 milionë euro të qeverisë Kurti.

Kurti poston në Twitter sa herë që e sheh të rëndësishme t’u tregojë diçka ndërkombëtarëve.

Kësaj radhe ai u “mburr” për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, studentët dhe punëtorët si dhe për mbështetjen financiare ndaj familjeve në nevojë.

“Për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve globale në ekonominë tonë dhe qytetarët tanë, ne po përgjigjemi me një paketë ndihme prej 100 milionë eurosh për pensionistët, punonjësit e sektorit publik dhe privat, studentët dhe familjet në nevojë – që arrin në 800,000 përfitues”, shkroi ai.

Kurti ka prezantuar sot disa masa të reja në kuadër të pakos me qëllim të mbështetjes financiare për qytetarët, në kohën e ngritjes së çmimeve në vend.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kryeministri Kurti tha se me nga 100 euro si masë e njëhershme do të ndihmohen familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët.

Vlera totale e të gjitha këtyre masave, Kurti tha se është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose, praktikisht, secila familje e Kosovës.

Murati bëri të ditur se pensionistët do të marrin shtesat të premten, ose më së largu të hënën. Punëtorët e sektorit publik do i marrin në fund të muajit ndërsa për punëtorët e sektorit privat dhe studentëve nuk dha datë të saktë.

Postimit të tij, Kurti ia bashkëngjiti edhe foton e plotë të ndihmave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat