​Osmani për marrëveshjen me MCC: SHBA konfirmoi mbështetjen për Republikën tonë

Aktuale

​Osmani për marrëveshjen me MCC: SHBA konfirmoi mbështetjen për Republikën tonë

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 22:58
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Kongresin amerikan, tha se ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshke konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira.

“Sot, SHBA-të, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme. Të qëndrosh pranë nesh sot dhe të na mbështesësh në përpjekjet tona për të përqafuar një tranzicion të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të energjisë, do të thotë që të vazhdosh të punosh në mënyrë strategjike e të ndërtosh mbi ato që tashmë i kemi arritur bashkërisht përgjatë viteve”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se përballja me sfidat e tranzicionit energjetik, hartimin e politikave të duhura, përgatitja e fuqisë punëtore për nevojat e së ardhmes, si dhe ruajtja dhe garantimi i sigurisë energjetike, mbeten disa nga sfidat që po na shqetësojnë kaq shumë.

“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, vijoi Osmani.

Osmani shtoi se kjo marrëveshje do të sjellë Kosovën më pranë ndërtimit të sistemit energjetik që plotëson nevojat e së ardhmes pasi ngërthen inovacionin, garanton përballueshmëri dhe promovon gjithëpërfshirje.

Në fund, Osmani ia dedikoi marrëveshjen edhe ish-sekretares amerikane të shtetit, të ndjerës Madeleine Albright, bija e të cilës, Alice, është shefe ekzekutive në MCC.

“Një ndër miq që e vlerësojmë lart është pikërisht nëna juaj e shtrenjtë, e dashur Alice, ish-sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright. Jam thellësisht e bindur se ajo do të ishte shumë krenare për këtë arritje të përbashkët sot”, përfundoi Osmani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat