Kurti nga Washingtoni tregon se kur do të ketë takim me Vuçiqin - jep detaje çka diskutoi me Blinken

Aktuale

Kurti nga Washingtoni tregon se kur do të ketë takim me Vuçiqin - jep detaje çka diskutoi me Blinken

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 18:37 Përditësuar në ora: 20:30 më 28.07.2022
Albin Kurti

Kurti: Dialogu me Serbinë i rëndësishëm, por synimi duhet të jetë njohja reciproke

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re, duke qenë se sfidat në botë janë duke u shtuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Uashington, zoti Kurti vlerësoi marrëveshjen prej mbi 236 milionë dollarë për energjinë dhe tha se dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ndërsa bisedimet me Serbinë kanë ngecur dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, kryeministri Kurti tha në intervistën me kolegen Keida Kostreci, se Kosova asnjëherë nuk e ka mohuar rëndësinë e bisedimeve por se ato duhet të jenë parimore dhe me synimin përfundimtar për njohje reciproke.

Zoti kryeministër në takimin me sekretarin Blinken dhe zyrtarët amerikanë në Washington u theksua marrëdhënia e fortë mes dy vendeve. Cilat janë mesazhet konkrete që merrni këtu dhe që po i përcillni me vete në vendin tuaj?

Albin Kurti: Kur isha para dy muajve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizita dy javore u dominua nga nevoja e investimeve shtesë amerikane në Kosovë por gjithashtu edhe për një siguri shtesë për Kosovën në kushtet kur përballemi me pasojat kontinentale dhe jo vetëm të invazionit të pajutifikueshëm dhe të paprovokueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë. Ndërkaq kësaj radhe erdhëm për ta bërë konkrete një bashkëpunim në fushën e energjisë përkatësisht nënshkrimin e programit Kompakt prej gjithsejt 236.7 milionë dollarëve që do të kontribuojë shumë për pavarësinë energjetike të Kosovës duke filluar me bateritë akumuluese e deri te trajnimet dhe shkathtësitë tjera profesionale dhe teknike në veçanti për gratë në Kosovë. Mirëpo ne me sekretarin Blinken nuk u ndalëm me kaq, diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme bilaterale e shtetërore t’i thellojmë dhe avancojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar por gjithashtu edhe duke pasur se dy sektorë që Kosova e ka rritur buxhetin vjetor; bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku ne duam ta rrisim bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi me sekretarin Blinken ishte i shkëlqyeshëm, ishte i frytshëm dhe shumë i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona të cilat po hyjnë në një fazë të re për shkak se sfidat në botë janë duke u shtuar por njëkohësisht edhe investimi amerikan në Kosovë gjithashtu mund të vijë duke u shtuar.

Intrevistën e plotë lexojeni KËTU

Kurti: Isha i gatshëm të shkoj në Bruksel, por Beogradi e shtyu takimin

Në një lidhje direkte për Zërin e Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se takimi me Sekretarin e Shetetit, Antony Blinken ka qenë “i shkëlqyer dhe i frytshëm”.

Ai foli edhe për çështjen e hapur të targave serbe dhe mungesën e një marrëveshje me Serbinë për këtë problem.

“Kemi ofruar lehtësime për ta bërë konvertim të tillë, nga e hëna të gjithë ata që kanë dokumente të lëshuara nga Serbia dhe duan të pajisen me to, ne lshojmë dokumente që ata mund të lëvizin lirshëm në Kosovë”.

Kurti tha se Serbia ka pranuar që duhet të “marrin fund” targat e kohës së Millosheviqit, mirëpo sipas tij “po iu pengon zbatimi”.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë i gatshëm të udhëtojë për në Bruksel, një takim i tillë ka pasur plan të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt sepse Beogradi zyrtar e refuzoi këtë dhe kërkoi shtyerje mbi 1-mujore”, tha Kurti.

“Me këtë rast dua të theksoj që Kosova ka qenë përherë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar, Blinken kërkoi që edhe mëtutje të jemi të tillë, por është Beogradi ai që po punon kundër marrëveshjeve”, shtoi Kurti për Zërin e Amerikës.

Kurti: Kosova ka qenë përherë konstruktive, sekretari Blinken kërkoi që edhe më tej të jemi të tillë

Kryeministri Albin Kurti ka shpalosur sot detaje mbi rrjedhën e takimit që kishin me sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pjesë e së cilit qe edhe presidentja Vjosa Osmani.

Kurti për Zërin e Amerikës, u shpreh se sekretari Anthony Blinken, ka kërkuar që Kosova edhe më tej të jetë konstruktive, me çdo zyrtar të saj.

”Me këtë rast, unë theksoj që Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari [Anthony Blinken], kërkoi që edhe më tej të jemi të tillë, e ne do t’vazhdojmë të jemi të tillë.

Por është Beogradi që po punon kundër marrëveshjeve, dhe kundër marrëveshjeve të mira fqinjësore”.

 

Kurti nga Uashingtoni: Marrëdhëniet me Serbinë s’janë normale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar edhe sot në Uashington, pas nënshkrimit të marrëveshjes Kompakt me MCC-në gjatë ditë së djeshme. Gjatë qëndrimit, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, kanë takuar edhe Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

Kurti, duke folur për Zërin e Amerikës, ka thënë se takimi me Blinken është kremtim i marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, të cilat, sipas tij, po hyjnë në një fazë të re, edhe si rezultat i zhvillimeve rajonale e globale.

“Me Sekretarin Blinken, diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme t’i thellojmë me bashkëpunim ekonomik dhe rritje të shkëmbimit tregtar. Po ashtu, bujqësia dhe mbrojtja janë dy fusha ku duam ta rrisim bashkëpunimin. Takimi me Blinken ishte i përzemërt, është kremtim i marrëdhënieve tona që po hyjnë në një fazë të re. Investimi amerikan në Kosovë do të vijë duke u shtuar, sfidat në rajon po shtohen”, ka thënë Kurti.

Kurti është pyetur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se e pranon që marrëdhëniet me Sebinë janë jonormale, të cilat duhet të normalizohen përmes dialogut dhe një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohje reciproke.

“Nuk i kemi mohuar bisedimet, por Kosova duhet të jetë palë dhe jo temë. Në të njëjtën kohë, e pranojmë se marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normale dhe ne duam normalizim të marrëdhënieve. Dhe normaizlimi bëhet me dialog, që bëhet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar te njohja reciproke. Këtu kemi mirëkuptim të plotë me Sekrektarin Blinken”, ka deklaruar ai.

Kurti nga Washingtoni thotë se takimi me Vuçiq mund të ndodhë në fund të gushtit

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se një takim potencial me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut, ka gjasë të mbahet në fund të gushtit.

Këtë Kurti e tha për Zërin e Amerikës, kur u pyet mbi qasjen e tij në raport me Beogradin zyrtar.

”Në vend që të ndodh takimi me 19 korrik, tash shpresohet se mbase mund të mbahet në fund të gushtit”.

Ai mes tjerash u shpreh se është gjithmonë i gatshëm të mbajë takimet në Bruksel.

”Unë jam i gatshëm gjithmonë të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës”.

”Një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt për shkak se Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje njëmujore. Dikur thoshin të presin meqenëse nuk i kanë mbajtur zgjedhjet. E tash sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme, përkundër kërkesave të BE-së, dhe SHBA, ata nuk duan të distancohen nga presidenti Putin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat