“E dhunojnë, gjinjtë ia prejnë, i hedhin krip, e ekzekutojnë ”... / I vranë me akuzën për “miellin e helmuar”, por atë e hëngrën

Aktuale

“E dhunojnë, gjinjtë ia prejnë, i hedhin krip, e ekzekutojnë ”... / I vranë me akuzën për “miellin e helmuar”, por atë e hëngrën

Nga: Idriz Morina Më: 28 korrik 2022 Në ora: 20:41
Gjykata speciale

Dy kamionë miell të dorëzuar në Zonën e Dukagjinit për UÇK-në, rezultuan me fatin tragjik të dy bashkëshortëve shqiptarë.

Fati tragjik, vdekja mund të duket një përfundim i lumtur, krahasuar me përjetimet e tyre. Rasti i tyre u trajtua nga gjykata e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

Por, a keni menduar se në luftë një shqiptar kishte zemër të vriste një shqiptar, vetëm pse tjetri mund të ishte quajtur pacifist, me përpjekje për njollosje si njerëz që se duan luftën. Pastaj se ata që se duan luftën janë me Serbinë?

Po nëse këta ‘pacifistë’ ishin me Serbinë, me kë ishin ata që luftonin në uniforma të UÇK-së, si formacione të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, të cilët edhe nga Tribunali i Hagës citohen si FARK, ndaj të cilit ‘ekzistonte urrejtje dhe mosdurim’.

Në pikën 36 të vendimit të Tribunalit në rastin Haradinaj thuhet: “Ramush HARADINAJ dhe forcat e UÇK-së që vepronin nën komandën e tij ku përfshiheshin jo vetëm Idriz BALAJ dhe Lahi BRAHIMAJ, e mbanin zonën operative nën kontroll të plotë dhe kërkonin që ky kontroll të ishte vetëm i tyre. Ata nuk e duronin praninë e fraksioneve të tjera shqiptare që luftonin kundër serbëve, si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës ("FARK"), në territorin e tyre. Më 4 korrik 1998, Ramush Haradinaj, bashkë me ushtarët e Shtabit të tij në Gllogjan, rrahën, poshtëruan dhe lënduan rëndë katër anëtarë të këtyre forcave, të cilët po kalonin nëpër këtë rajon për të marrë një kontingjent armësh që do të vinte nga Shqipëria.”

Duke u munduar t’ia siguronin bukën luftëtarëve të UÇK-së

Kam shkruar për shumë trishtime, kam dëgjuar për shumë rrëfime të tjera tragjike. Por, kur i dëgjon disa rrëfime, aq torturuese dhe ç’njerëzore, nga goja e një njeriu që i ka dëgjuar thuajse në burim, është e tmerrshme.

Këtë shkrim ia kushtoj si homazh, detyrim njerëzor atyre që u vranë pafajshëm dhe në përpjekje për të ndihmuar në mënyrën e tyre atdheun, në këtë rast duke u munduar t’ia siguronin bukën luftëtarëve të UÇK-së, pa dallim krahu politik, sepse e konsideronin veten pjesë të Republikës, që duhej çliruar!

Bëhet fjalë për Ilire Frrokaj, e vrarë mizorisht në moshën 41 vjeçare, dhe bashkëshorti i saj Tush Frrokaj, 37 vjeçar, në rrethana ende të pazbardhura.

Sipas gjetjeve të përfshira në gjykimin në Tribunal, Ilirja ishte goditur me një plumb, por i ishin zbuluar edhe shumë fraktura në eshtra në pjesë të ndryshme të trupit, të gjetur të dekompozuar në rrjedhën e liqenit të Radoniçit, por që gjurmët e djegies së trupit ende nuk ishin fshirë.

Tush dhe Ilire Frrokaj në bazë të dëshmive në Tribunal nuk dihet se kur saktësisht u ndaluan nga pjesëtarë të UÇK-së, pasi sipas dëshmitarit 1, ata ishin rrëmbyer në fillim të gushtit, ndërsa sipas dëshmitarit 21, kjo kishte ndodhur në fund të muajit gusht, dhe se këtë e kishte bërë ushtari i quajtur me nofkën “Togeri”, por dëshmitari 21 kishte deklaruar në Hagë, se ai nuk mund ta dinte se kush ishin autorët e vrasjes së çiftit.

Dëshmitarët 1 dhe 61 kishin thënë në Tribunal se vetë ata dy ishin marrë nga shtëpia e tyre dhe pasi i kishin dërguar në një qendër të UÇK-së, i kishin futur në një pus.

Kush ishin çifti i ekzekutuar

Sipas të dhënave të Tribunalit Ilira Frrokaj, e lindur më 25 maj 1957 dhe bashkëshorti i saj Tush Frrokaj, i lindur më 29 gusht 1961, të dy shqiptarë, jetonin në fshatin Plançor, komuna e Gjakovës.

Tribunali e përshkruan vetëm momentin e ndalimit, por jo edhe motivet e rrugëtimit të çiftit.

“Në gusht 1998 ata udhëtuan së bashku me makinë nga shtëpia e tyre nga fshati Plançor për në fshatin Nepolje kur u zhdukën”, thuhet në dokumentin e Tribunalit.

Familjarët bën pyetje në shtabin e UÇK-së dhe shkuan në shtëpinë e Ardian Kurtit, komandant lokal i UÇK-së në Gramaqel, në rrugën që çifti i zhdukur e kishte përshkuar.

“Ndërsa atje, në shtëpi ka ardhur i akuzuari Idriz Balaj dhe është dëgjuar ta paralajmërojë Ardian Kurtin: "Mos ndërhyjë në punët e të tjerëve nëse dëshiron të mbetesh gjallë, përndryshe mund të përfundosh në mesin e të tjerëve".

Familjarët më pas kishin shkuar në Shtabin e UÇK-së në Gllogjan, ku ishin takuar me Shkëlzen Haradinajn, vëllain e Ramush Haradinajt. “Ia kishin marrë për siguri fotografitë e çiftit të zhdukur dhe i kanë thënë se Idriz Balaj do të vijë në Shtab". “Idriz Balaj nuk u paraqit në shtab, dhe kur në dy raste u takua me të afërmit e Ilira dhe Tush Frrokajt ai refuzoi të bisedonte për zhdukjen e tyre".

Në pikën 63 përshkruhet një pjesë e obduksionit dhe vendi i gjetjes së trupave.

“Ilira Frrokaj dhe Tush Frrokaj u vranë të dy. Trupat e tyre u gjetën nën një rënie të kanalit të liqenit të Radoniqit së bashku me veturën e tyre, e cila kishte disa vrima plumbash. Trupi i Ilira Frrokajt zbuloi praninë e një predhe në njërën këmbë, thyerje të shumta kockash, mes të cilave thyerje të kafkës dhe dëshmi të djegies së trupit. Trupi i Tush Frrokajt zbuloi një thyerje të kafkës”, thuhet në përshkrimin e gjykatës.

Ngjarja

Siç e paralajmëruam në fillim, bashkëshortët Frrokaj kishin ndihmuar me miell, por dita e rrëmbimit mund të mos jetë e njëjtë me ditën e dorëzimit të ndihmave, ndërsa ditën tragjike, mund të kishin nisur një rrugë tjetër. Sipas asaj që kuptohet nga hulumtimi i Tribunalit, ata vetë kishin udhëtuar me veturën e tyre, e cila nuk përcaktohet qartë si lloj, sipas dëshmitarëve.

Duket se dikush qëllimisht e kishte përhapur një njollosje për çiftin, një skemë e njohur kjo qoftë për të ekzekutuar mbështetësit e Rugovës, qoftë edhe për ndonjë rast hakmarrjeje. Meqë familja njihej si mbështetëse e LDK-së, dhe nuk kishte ndonjë informacion publik negativ, nuk përjashtohet se motivi mund të ketë qenë hakmarrja. Por, kjo s’kishte të bënte aspak me kodin e shqiptarëve, Kanunin, në të cilin thirren shpesh atëherë, edhe sot, disa që kryejnë krime makabre.

Ajo që ndodhi pas arrestimit të çiftit është aq shokuese, sipas subjektit që e përshkruan, i cili nuk ka motiv as për arrestimin e dikujt, pasi nuk pretendon fare se e dinë se kush janë autorët, dhe po ashtu nuk kishte asnjë lidhje me viktimat.

“Pasi u arrestuan, sipas rrëfimit që kam dëgjuar nga një luftëtar, pasi nis keqtrajtimi i bashkëshortëve me akuzën për tentim të helmimit të ushtarëve, ata e dhunojnë gruan, madje në sy të burrit të saj”, thotë ai, teksa mundohet ta kujtojë besnikërisht rrëfimin e dëgjuar.

Teksa unë e ndërpresë me trishtim, se si kanë mundur t’ia bëjnë këtë një shqiptari, që të paktën deri në luftë thirreshin me dhjetëra mijëra burra, se pa nder nuk mund të rrojnë, se turpërimin dhe korinë, ashtu siç e kodifikon kanuni, burri nuk mund ta durojnë, ai më thotë ndodhi edhe më keq më tej.

“Pas torturave, siç rezulton edhe nga procesi i Hagës, para se t’i ekzekutonin, gruas ia prejnë gjirin, dhe në vendin e prerë i hedhin krip!”, thotë ai, ndërsa unë i kërkoj të ndalojë pak dhe ta marrë veten.

Se besoja dot se këtë e kanë bërë: E dhunojnë, gjinjtë ia prejnë, i hedhin krip, e ekzekutojnë ... a nuk ishte kjo një ngjarje Ferri!?

Nuk desha ta dëgjoja se çfarë kanë mundur t’i bëjnë burrit, por sipas gjetjeve të Tribunalit atij ia kishin thyer kokën, ndërsa për t’i zhdukur gjurmët e krimit dhe torturave ndaj gruas, ‘ishin kujdesur’ t’ia djegin trupin!

Dhe ende dikush dëshiron ta imponojë me forcë se krimet e tilla nuk ishin asgjë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat