Kundër Rugovës kanë qenë ata që për shkak nuk besonin në lëvizjen për pavarësi, se kanë votuar referendumin për pavarësi, ata që nuk kanë dal në zgjedhje presidenciale të vitit 1992, sepse e kanë njohur pushtetin e Millosheviçit, këta pastaj janë infiltruar edhe në UÇK, si grupacion i maskuar promillosheviçit.
Por, situata sipas hulumtimeve edhe të inteligjencës së KFOR-it, dhe në procese gjyqësore të pas luftës ka rezultuar se edhe brenda anëtarëve të lartë të Shtabit, në paqe kanë bashkëpunuar me agjent të UDB-së.
Vrasje politike për të fituar pushtet, fuqi politike, financiare
Një rrjet i tillë, më i vogël apo me fuqi të mjaftueshme mund të jetë përgjegjës edhe për vrasjet politike.
Habia është se intensiteti i vrasjeve politike pas luftës ishte më i madh se në luftë. Nëse argumenti sipas tyre kishte kuptim, se ‘ata ishin pengues të luftës’, atëherë si mund të jetë i qëndrueshëm ndonjë argument për vrasjet politike të pas luftës.
Pra, vrasjet politike duhet kërkuar në disa hulli. Vrasje politike për të fituar pushtet, fuqi politike, financiare etj.; si bashkëveprim i realizimit të platformave të përbashkëta të grupit kriminal brenda UÇK-në dhe më pas në liri, me struktura të shërbimit inteligjent serb, për interesa të Serbisë; dhe si vrasje të karakterit tjetër.
Dhe shoqëria jonë ende nuk ka dëshmuar se është e gatshme të diskutojë këto çështje hapur dhe pa emocione. Derisa njëra palë, mbështetësit e Rugovës, e kanë diskutuar dhe shfaqur problemin e vrasjeve politike, kryesisht në media, ndërsa linja zyrtare e LDK-së, kryesisht me kujdes, dhe madje për një dekadë në fund është përdorur vetëm si tezë fushate, jo si analizim nga të gjitha këndvështrimet, por kryesisht si viktimizim i SHIK-ut. Po ashtu pa kërkuar asnjëherë seriozisht llogari për krimet.
Ndërsa, pala tjetër e kthen në diskutim emocional, duke e shikuar si herezi, kushdo dhe këdo që shkruan për vrasjet politike, duke dashur, ta mbulojë krimin me vellon, e ‘shenjtërisë së luftës’. Meqë është e shenjtë është e paprekshme dhe si e tillë, ajo nuk ka nevojë, për vlerësim, gjykim, hetim në aspektin e kriminalistikës dhe as të hetimit shkencor, si në këtë rast që pretendojmë shkurtimisht ta shqyrtojmë.
Po ashtu, kjo vërehet qartazi edhe me sulmet dhe përpjekjet për ta paraqitur si antikushtetuese, antishqiptare gjykatën speciale...
Për të ndihmuar në këtë proces është e nevojshme që të lihet e lirë gjykata speciale, dhe shkeljet apo çfarëdo të pretendohet duhet të lihet në dorën e ekspertëve.
Ti kthehemi edhe njëherë llojit të krimeve që janë kryer në luftë dhe më pas.
Vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes, Enver Malokut, Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit, Xhemail Mustafës, dhe një numri tjetër, për të cilët nuk mund të jem të sigurt, janë bërë në përmbushje të synimeve të platformave serbe, si qëllim afatgjatë.
Vrasja e këtij grupimi njerëzish është bërë për të dobësuar drejtpërdrejt krahun politik dhe ushtarak të Rugovës, në mënyrë që interesat dhe qëllimet politike dhe të tjera të Serbisë ndaj Kosovës të mund të realizohen më lehtë në luftë dhe pas luftës.
Duke vrarë njerëzit si Ahmet Krasniqi, goditeshin objektivat strategjike të shqiptarëve, që në rast të një mbështetje të shqiptarëve nga jashtë, mund të sillte një zhvillim shumë pozitiv ushtarak, me fitore të rëndësishme tokësore. Fitoret e tilla në terren do ta vinin Serbinë para vështirësive më të mëdha, dhe do të mund ta kishin determinuar mbase edhe një marrëveshje tjetër nga ajo e Kumanovës, më e favorshme për shqiptarët, dhe ku mbase edhe UÇK-ja do të kishte qenë palë e drejtpërdrejt.
Ndërsa, pas luftës, fitoret më të fuqishme se ajo e Koshares dhe nga një luftë e unifikuar në terren e UÇK-së, do të kishte pasur zhvillime më të mira politike për Kosovën.
Sabotimi i procesit të Pavarësisë
Ky lloj organizimi dhe me suksese edhe pse do të mund të kishin qenë jo optimale, për ata që nuk e dinë, do të kishin mundësuar veprimin e menjëhershëm të institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë, dhe se të gjitha proceset e mëpastajme do të ishin zhvilluar me tjetër hov. Në këtë kontekst kanë të drejtë plotësisht ata, që thonë se kishin informacione se në vitin 2002 Kosova do të mund ta shpallte Pavarësinë, pra 6 vjet më herët se që ndodhi.
Por, shuarja e të gjitha institucioneve, e zvarriti konstituimin e Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës deri në fillim të vitit 2002.
Më pas, po i njëjti grupim, i cili për shkak se nuk kishte pushtet krijoi trazirat e marsit 2004, ku sërish vjen në shprehje bashkëveprimi i grupimit shqiptar me UDB-në, përkatësisht BIA-n serbe, dhe krijojnë çështjen e ‘viktimave serbe dhe të trashëgimisë fetare serbe’. Kjo e zvarriti edhe për disa vite shpalljen e Pavarësisë, dhe e futi Kosovën në proces negociator në Vjen. Ndërkohë Rugova vdiq, në janarin e vitit 2006, duke i dhënë një goditje të rëndë procesit të pavarësimit të Kosovës.
Vrasjet si e Behadin Allaçit me Shaban Shalën, Ilir Konushecit, Ali Ukës më parë, e pas luftës si të qindra veprimtarëve të LDK-së, Manajt, Bytyçit, Rracit, Imerit, Tahir Zemajt, Sebehate Tolajt, Jusuf Haklajt, Bytyçit etj., janë kryer me qëllim të drejtpërdrejt të realizimit të fuqisë politike të grupit kryesor që sot po gjykohet në Hagë, dhe atyre që kanë bashkëvepruar, me qëllim të dobësimit të mbështetje dhe fuqisë politike të Rugovës, me qëllim që të fitonin më shumë vota në zgjedhje.
Ndërsa, vrasje të karakterit tjetër, që ka sigurisht disa nën grupime, mund të radhiten si ato të Skender Kuqit, familjes Frrokaj dhe përplot raste të tjera, por që në aspektin kriminal kanë karakter të njëjtë të gjitha së bashku (me përjashtim të ato të pasluftës) para gjykatës, të padyshimtë si krime të rënda lufte.
Edhe rastet e tilla si dy të përmendurat, dhe të tjera të ngjashme, janë rezultat i zbatimit të mendësisë së praktikave të ushtruara nga regjimet serbe, me qëllim të zhdukjes dhe shfarosjes së shqiptarëve!