Tensionet në veri/ Kryeministri Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit e Petkoviqit: Nuk dorëzohemi deri në vendosjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit

Aktuale

Tensionet në veri/ Kryeministri Kurti i kundërpërgjigjet Vuçiqit e Petkoviqit: Nuk dorëzohemi deri në vendosjen e rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit

Nga: M.L. Më: 31 korrik 2022 Në ora: 21:06
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka komentuar situatën aktuale të krijuar në pjesën veriore të Mitrovicës pak para fillimit të zbatimit të reciprocitetit në dokumente.

Kryeministri ka thënë se strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh.

Ai u shpreh se këtyre tensioneve iu parapronë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, u shpreh kryeministri.

Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e do, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët.

“Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.

Përcillni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit Kurti, orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike.

“Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit.

Ju falemnderit për mbështetjen”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat