Goditje e dyfishtë për Serbinë / Trekëndëshi katastrofal Rusi-Serbi dhe bashkëpunëtorët e UDB-ës

Aktuale

Goditje e dyfishtë për Serbinë / Trekëndëshi katastrofal Rusi-Serbi dhe bashkëpunëtorët e UDB-ës

Nga: Idriz Morina Më: 1 gusht 2022 Në ora: 16:53
Pjesëtarë të KFOR-it amerikan duke vëzhguar në veri

Disa herë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, kemi shkruar, se humbja e Rusisë atje do të ishte fundamentale për Kosovën.

I vetmi vend, që i dha mbështetje të plotë Serbisë ishte vetëm Rusia, gjë e cila në fakt tregon se ajo është realisht e përfshirë në dhunën e organizuar në veri dje, nëpërmjet agjentëve të saj.

Por, zëri i saj ishte i mekur, dhe ajo e ka humbur shumë ndikimin e saj të drejtpërdrejtë dhe indirekt. Askush nuk iu referua qëndrimit rus, dhe deklarimet e saj, më shumë e provokojnë diplomacinë e shëndoshë perëndimore, se sa e bëjnë të hezitojë.

Ajo më nuk mund të thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku mund ta sulmojë Kosovën, sepse çdo moment do të bombardohej për krimet e luftës që po kryen në Ukrainë, agresionin që po e bën atje etj.

Goditjet për Serbinë

Thjesht Serbia kësaj here ishte më e vetmuar se çdo herë dhe diplomacia e saj nuk mund të fitojë më nëpërmjet shtrembërimit të realitetit, të fakteve, dhe të retorikës së rrejshme agresive.

Ajo u godit dyfish, sepse sipas burimeve perëndimore, në mbledhjen e Vuçiqit me ushtrinë serbe mori pjesë një përfaqësues ushtarak rus. Kjo e ka irrituar edhe më perëndimin dhe i ka dhënë shans të shohë se vërtetë Serbia është e varur nga Rusia, se i është nënshtruar asaj etj.

Dhe po ashtu asaj iu përcoll mesazhi nga NATO-ja, që as mos ta ëndërrojë pushtimin e veriut, sepse në qiell menjëherë do të ngjiten aeroplanët e NATO-s.

Kjo u kuptua më së miri kur thuaja të gjitha shtetet perëndimore individualisht ia bën të qartë Serbisë, se institucionet e Kosovës kanë të drejtë, për zbatimin e të dyja vendimeve, por nëse lexohet mirë, vullneti i shprehur nga ambasadori amerikan Hovenier, zbatimi i tyre duhet të shtyhet për një muaj, për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar, e cila lehtësisht mund të çonte në gjakderdhje.

Mbrëmë opozita ishte mjaft mirë e pozicionuar duke i dhënë mbështetje veprimeve të institucioneve të shtetit.

Por, sot, disa iu rikthyen sërish andrallave të tyre për pushtet dhe qëllimeve komplotiste.

E para në këtë vargon është figura qendrore e përfoljeve të lidhjeve të saj si një thuaja shërbëtore e Hashim Thaçit, Vlora Çitaku.

Ajo si duket u ngazëllye mbrëmë nga një postim tepër i rëndë, aspak diplomatik, por edhe i cenueshëm në aspektin moral, nga ish-ambasadori Grenell, njëherit i dërguar i ish-presidentit Tramp.

Ata që po akuzohen për vrasjen e shqiptarëve në Hagë, nuk mund të qeverisin

Ai bëri thirrje të hapur, meqë sipas tij po dështon Albin Kurti, ta kthejnë shqiptarët nga Haga Hashim Thaçin, sepse sipas tij ai është njeriu i duhur dhe madje, që shqiptarët e kërkojnë.

Këto janë dy të pavërteta të mëdha.

Hashim Thaçi është i papranueshëm, sepse akuzohet për organizimin dhe vrasjen e qindra shqiptarëve si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, sipas gjykatës speciale, dhe për këtë fare pak shqiptarë apo familje janë të gatshëm ta falin. Faljen nuk besohet se do t’ia dhurojë as drejtësia e gjykatës speciale. Pra, duke qenë i dyshuar për krime derisa nuk shpallet i pafajshëm ai vazhdon të konsiderohet dhe të trajtohet si kriminel andaj, është e pamoralshme një thirrje për kthimin e tij në politikë, veçmas kur në këso rrethana nuk ka asnjë shpresë që të gëzojë ndonjë pushtet real.

Duke qenë i tillë, dhe me dhjetëra akuza të tjera për krim të organizuar dhe korrupsion, për shpërdorime detyrash etj., atë sot askush nuk e kërkon përveç atyre që zakonisht janë shkelës të ligjit, dhe atyre pak vetave që vazhdojnë të punojnë për të, qoftë sepse ishin pjesë e krimit dhe korrupsionit, dhe që disa mundohen të rikthehen në pushtet, pasi atë e shohin veç si privilegj.

Përkundrazi atë që e tha Grenelli e zbuloi një trekëndësh të rrezikshëm, ...-Vuçiq-Rusi, dhe këtij zinxhiri po i mungon një hallkë nga Kosova, që sipas tij është Hashim Thaçi.

Pra, për të gjithë ata që nuk kanë mundur të besojnë për një afri raportesh të Thaçit me Vuçiqin, atë po e përcakton shumë qartë Grenelli, madje duke e vënë në raport afrie me Rusinë.

A nuk ishte vetëm Grenelli dhe Rusia kundër Kosovës kësaj here?

Sigurisht se po! Ndërsa, zhurmën që po mundohen ta paraqesin disa, duke e kritikuar Kosovën se institucionet e saja, nuk janë duke vepruar si duhet, më shumë po e paraqesin pamjen në frymën e Serbisë dhe të interesit të serbëve se sa të Kosovës, dhe të gjendjes reale.

Sot nuk ka asnjë pushtet demokratik në botë, që mund të pranojë të vijë dikush drejt nga burgu dhe të udhëheq. Thaçi dhe të tjerët nuk janë arrestuar dhe akuzuar nga një pushtet dhe sistem totalitar, por nga vet instrumentet shtetërore (gjykata speciale), që i kanë krijuar gjatë pushtetit të tyre (Thaçi si president, Veseli si kryekuvendar), dhe në bashkëpunim me vendet perëndimore, veçanërisht Amerikën.

Andaj thirrjet për me nxjerrë nga burgu një të dyshuar për krime të shumëfishta, është një thirrje e tmerrshme, dhe vërtetë ankthioze, së pari për familjet e viktimave të vrasjeve politike, por edhe për të gjithë shoqërinë e shëndoshë.

Është koha për rritjen e veprimit institucional, dhe që kriminelët serbë të nxirren para drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat