​Përfundon seanca për shkak të mungesës së deputetëve

Aktuale

​Përfundon seanca për shkak të mungesës së deputetëve

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 16:43 më 03.08.2022
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca për shkak të mungesës së deputetëve

Në seancën e sotme plenare, në disa pika të rendit të ditës nuk ka pasur kuorum në mungesë të deputetëve.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca disa herë ka ftuar deputetët në sallë, duke përdorur edhe zilen.

Kështu ka ndodhur edhe gjatë votimit të vendimit të Qeverisë për hartimin e planit hapësinor të Kosovës, për çka nevojitej prezenca edhe e një deputeti.

Konjufca derisa kërkonte “deputetin e artë”, në sallë është paraqitur Avdullah Hoti.

Konjufca: 60 deputetë jemi, na duhet deputeti “i artë”

“60 deputetë jemi, na duhet deputeti “i artë”... E provojmë edhe mekanizmin e ziles a po funksionon... Zotëri Hoti, ne thamë që kush është deputeti i 61-të është “i artë”. Por, nëse e ke dëgjuar në televizor, nuk numërohet”, është shprehur ai, derisa kanë shpërthyer të qeshurat në Kuvend.

Në mungesë të deputetëve në sallë, ka përfunduar edhe seanca e sotme. Kryetari Konjufca tha se nesër në orën 09:30 do të votohet anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

​Nuk ka kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum as për votimin e raportit vjetor të KOSTT-it në seancën e sotme plenare.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti deputetë të shumicës janë shprehur se është evidentuar performancë e mirë e ndërmarrjes në aspektin e funksionimit teknik por edhe balancimit të sistemit. Por, njëjtë nuk janë deklaruar nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kanë thënë se s’do të marrin pjesë në votim.

Gjatë votimit të këtij raporti, në sallë kanë qenë të pranishëm 64 deputetë, por kanë votuar vetëm 50 prej tyre.

Deputetja Jeta Statovci nga Komisioni për Ekonomi, tha se ky raport ka marrë miratimin e anëtarëve të këtij komisioni parlamentar.

Statovci: Është rekomanduar për seancë miratimi i këtij raporti

“Është trajtuar raporti i prezantuar nga ana e ndërmarrjes dhe ka marrë mbështetjen e deputetëve pjesëmarrës, kështu që është rekomanduar për seancë miratimi i këtij raporti”, ka thënë ajo.

Edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja tha se ky raport përmbush detyrat dhe obligimet e dala nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.

Muja: Komisioni ka vendosur që këtë raport ta rekomandojë për aprovim

“Të gjitha të dhënat dhe diskutimet në lidhje me shpenzimet dhe të hyrat e ndërmarrjes janë trajtuar dhe komisioni ka vendosur që këtë raport ta rekomandojë për aprovim. Një kërkesë e cila është bërë për auditimin e investimeve kapitale të ndërmarrjes është në pritje nga Zyra Kombëtare e Auditimit, por e cila ndërlidhet me vitet paraprake 2011-2020 dhe i njëjti po besoj që në pjesën e dytë do të trajtohet ku ne i kemi ngritur disa shqetësime. Por, në mungesë të informacionit nuk kemi pasur diçka konkrete”, ka theksuar ai.

Në emër të LVV-së, deputeti Driton Hyseni u shpreh se ky raport është pozitiv.

Hyseni: Raporti i vitit 2021 evidenton performancë të mirë të ndërmarrjes KOSTT

“Raporti i vitit 2021 evidenton performancë të mirë të ndërmarrjes KOSTT, si në aspektin e funksionimit teknik, ashtu edhe në tragetin e saj që është balancimi i sistemit. Por, vlen të theksohet se performanca e KOSTT-it në vitin 2021 u sfidua nga kriza energjetike dhe obligimet që gjenerohen nga humbjet e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Që me licencë operimi lëshuar nga ZRRE, KOSTT që nga viti 2017 të tilla humbjet duhet t’i mbulojë”, tha Hyseni.

Në emër të PDK-së, Mergim Lushtaku tha se ka pasur keqmenaxhim në raport me krizën me energjinë. Ndërkohë, ai ka shtuar se ka pasur rritje të eksportit për më shumë se 300 për qind. Për këtë, ai tha se nuk do të marrin pjesë në votimin e këtij raporti.

Lushtaku: PDK ka shqetësimet në lidhje me këtë raport

“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kemi shqyrtuar raportin vjetor të KOSTT-it dhe kemi shqetësimet me këtë raport. Me menaxhimin e këtij institucioni, por edhe me mbështetjen çfarë i ka bërë Qeveria e Kosovës gjithashtu me menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjisë në përgjithësi...Nëse i shikojmë shifrat në raportin financiar, vijmë në përfundim se një menaxhim më i mirë i situatës energjetike do të ndikonte që të kalonte kriza globale energjetike me më pak pasoja. Nga tabela vërehet se prodhimi vendor ishte më i lartë se plani 22.15 për qind, ka pasur zvogëlim të importit 16.49 për qind dhe rritje të eksportit krahasuar me atë të planifikuar 395.14 për qind. Konsumi neto ka qenë më i lartë se i planit 7.11 për qind”, ka thënë ai. 

​S’ka kuorum për votimin e raportit të punës të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Vetëm 59 deputetë kanë votuar për këtë raport, ndërkaq që të pranishëm kanë qenë 69 përfaqësues të legjislativit.

Kështu ka njoftuar në seancë plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje.

Konjufca: Nuk ka kuorum

“Vetëm 59 deputetë të kuvendit kanë votuar për këtë raport. Kështu që nuk ka kuorum për të vendosur kuvendi për këtë raport”, ka njoftuar Konjufca.

Në emër të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, deputeti Enver Dugolli ka kërkuar nga Kuvendi që të miratohet raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.

Dugolli: Të miratohet raporti i punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi

“Të miratohet raporti i punës i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021. Arsyetim: në bazë të nenit 66 të Ligjit 06-L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi duhet t’i paraqes Kuvendit të Kosovës raport vjetor të punës dhe duhet ta publikojë atë jo më vonë 31 mars të vitit vijues. Në pajtim me dispozitat ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka paraqitur kuvendit raportin e punës për vitin 2021, i cili përmban të dhënat dhe veprimet e këtij institucioni në fushën e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjes së të dhënave personave”, ka thënë ai.

Edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Dugolli ka thënë se ky raport përmbush standardet dhe kriteret e përcaktuara dhe se pasqyrohet një punë e mirë që ka bërë agjencia gjatë vitit të kaluar. Numri total i qytetarëve që kanë bërë kërkesë për qasje në dokumente publike është mbi shtatë mijë.

Dugolli: Agjencia ka përpunuar 139 ankesa të pranuara nga qytetarët

“Sipas këtij raporti të punës, Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë këtij viti u ka dhënë 22 këshilla institucioneve të ndryshme lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka trajtuar 35 ankesa. Sipas raportit, ankesat kryesisht kanë të bëjnë me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit të kamerave, përpunimi i të dhënave të zyrtarëve publik, qasje në të dhënat e subjekteve, përpunimi i të dhënave për marketing të drejtpërdrejt. Në fushën e qasjes në dokumente publike, Agjencia ka përpunuar 139 ankesa të pranuara nga qytetarët për heshtje apo refuzim të kërkesave në qasje në dokumente publike”, ka thënë ai.

Në emër të PDK-së, Rashit Qalaj ka shprehur përkrahjen për miratimin e këtij raporti, megjithatë tha se sfidë kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore.

Qalaj: Edhe PDK e përkrah raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

“Edhe ne në Partinë Demokratike të Kosovës e përkrahim raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Konsideroj që është një raport mjaft i punuar në mënyrë profesionale, i cili paraqet të gjitha aktivitetet që Agjencia i ka bërë gjatë vitit të kaluar....Megjithatë, po e shtoj që agjencioni i ka disa sfida të cilat duhet ne si deputetë t’i ndihmojmë. Sfida kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore brenda agjencisë. Mund të them që numri i kufizuar i burimeve njerëzore përmban rrezik për mos realizimin e objektivave të planit të performancës”, ka thënë ai. 

​S’ka kuorum për votimin e rezolutës së LVV-së për adresimin e rritjes së çmimeve

Vetëm 52 deputetë kanë votuar për rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo rezolutë e propozuar ka të bëjë me adresimin e rritjes së çmimeve.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar se nuk ka kuorum për vendimmarrje.

Konjufca: Nuk ka kuorum për vendimmarrje për rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve

“Vetëm 52 deputetë kanë votuar për këtë rezolutë, kështu që nuk ka kuorum për vendimmarrje lidhur me këtë rezolutë të propozuar”, ka thënë Konjufca. 

​Miratohet rezoluta për liberalizimin e vizave

Me 65 vota për, legjislativi ka miratuar rezolutën e propozuar nga AAK për liberalizimin e vizave. Kjo rezolutë është harmonizuar dhe mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar se kjo rezolutë nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Konjufca: Me 65 vota për miratohet rezoluta e propozuar nga AAK

“Konstatoj që me 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por i harmonizuar dhe i mbështetur nga të gjitha grupet tjera parlamentare, rezolutën në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar kryeparlamentari Konjufca.

Versioni i fundit i kësaj rezolute është harmonizuar mes grupeve parlamentare.

Por, paraprakisht nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Enver Hoxhaj ka pasur një propozim.

Hoxhaj: Komisioni për Integrime të prodhojë një kronologji të ngjarjeve se çfarë ka ndodhur me liberalizimin e vizave

“Propozimi im është që meqë është konsumuar debati, Komisioni për Integrime Evropiane të prodhojë një kronologji të mirë të ngjarjeve se çfarë ka ndodhur deri më tani në raport me liberalizimin e vizave. Të votohet ajo kronologji, ajo rezolutë dhe në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe iu shkon shteteve nacionale. Sepse, siç e dimë janë institucionet e BE-së të cilat janë në favor edhe parlamenti dhe komisioni, por janë disa shtete të cilat kanë hezitim serioz në raport me këtë temë”, ka thënë ai.

Përmes rezolutës së AAK-së, kërkohet që qeveria të formojë një platformë nacionale e cila parasheh veprimet e Kosovës karshi vendimeve të BE-së në raport me liberalizimin e vizave.

​LVV deklaron se Kosova është afër heqjes së vizave, LDK: Për mosliberalizimin fajtore nuk është vetëm BE-ja

Partia në pushtet po konsideron se Kosova është shumë afër heqjes së vizave. Kështu u tha në debatin parlamentar të ftuar nga AAK për mos liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian. Për mos lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk është fajtor vetëm BE.

Ky i fundit në seancë plenare deklaroi se liberalizimi i vizave është meritor për qytetarët e Kosovës.

Zemaj: Në këtë padrejtësi nuk mund të fajësojmë vetëm Bashkimin Evropian

“Në këtë padrejtësi të madhe të qytetarëve tanë, të cilët po mbahen të izoluar dhe nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së, me një fjalë nuk mund të fajësojmë vetëm Bashkimin Evropian. Sepse, është e qartë dhe e ditur edhe këtu edhe botërisht që ne e kishim një mundësi të artë në vitin 2015-2016, kur Kosova ishte me një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin e vizave. Por të gjithë e dinë që kjo u pamundësua nga disa figura po ashtu që sot janë në krye të shtetit, dhe nga disa zyrtarë të tjerë në pengesën që iu bë ratifikimit të marrëveshjes me demarkacionin me Malin e Zi”, ka shtuar ai.

Ai përmendi edhe hedhjen e gazit lotsjellës dhe dhunën e shprehur në Kuvend nga partia që sot është në pushtet.

Ndërkaq, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Arbëreshë Kryeziu ka deklaruar se ky debat parlamentar nuk është ftuar në kohë të përshtatshme, meqë sipas saj Kosova është afër heqjes së vizave.

Kryeziu: Kurrë Kosova nuk ka qenë më afër heqjes së vizave

“Duke thirrur një debat parlamentar për të folur për mosliberalizim të vizave, po harrojmë ta përmendim një fakt: Kurrë Kosova nuk ka qenë më afër heqjes së vizave se sa që jemi sot. Kurrë nuk është punuar më shumë. Asnjëherë tjetër nuk janë shënuar kaq rezultate pozitive për vite të tëra sa janë shënuar përgjatë kësaj qeverisje një vit e pak muaj. Ne nuk duam ta mashtrojmë popullin, nuk kemi dhënë asnjëherë muaj e data, sepse mendojmë që kanë qenë të mashtruar për vite. Por, po punojmë fuqishëm, ekzekutiv dhe legjislativ, që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Këtu unë iu bëj thirrje që të bashkohemi pozitë e opozitë, sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita”, ka deklaruar ajo.

Po ashtu, ajo ka shtuar se asnjë shtet i Bashkimit Evropian nuk është kundër lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, për çka tha se edhe reflektimi i Francës është i dukshëm.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica u shpreh se agjenda e integrimit evropian nuk është vetëm liberalizimi i vizave.

Reçica: Pa një koordinim të ndërsjellë është e pamundur të lëvizim këtë proces

“Në emër të Grupit Parlamentar edhe një herë deklaroj që ne jemi të gatshëm dhe jemi në mbështetje të proceseve sa i përket agjendës evropiane dhe liberalizimit të vizave. Do të duhej e njëjta gjë të ndodhë edhe nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga zëvendëskryeministri që është përgjegjës për agjendë evropiane dhe i cili do të duhej të ketë në konsideratë edhe pjesën e opozitës. Sepse e dimë dhe është e dëshmuar që pa një koordinim të ndërsjellë është e pamundur të lëvizim këtë proces shumë të rëndësishëm”, ka shtuar ai.

Deputeti Pal Lekaj tha se propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është alternativë e vetme për ndërtimin e platformës nacionale.

Lekaj: Është mundësi për të ndërtuar platformë nacionale në zhvillimet më të rëndësishme

“Është mundësi për të ndërtuar platformë nacionale në zhvillimet më të rëndësishme për vendin tonë, është domosdoshmëri politike, ekonomike dhe shoqërore. Është mundësi për të mbrojtur dinjitetin e vendit tonë dhe qytetarit të cilin e përfaqësojmë. Është alternativë e vetme që të ndërtojmë strategji, të cilës duhet secili t’i përmbahemi deri në realizimin e plotë të saj. Ashtu siç bëmë me udhëzuesin për vizat që na ofruan të tjerët për ne”, ka deklaruar ai.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Deputetja e VV-së: Kosova kurrë s’ka qenë më afër heqjes së vizave

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më afër heqjes së vizave sesa që jemi sot.

Në seancën e sotme ku po debatohet për mosliberalizimin e vizave propozuar nga AAK, ajo i bëri thirrje opozitës të qëndrojnë të bashkuar në këtë proces.

Po harrojmë ta përmendim, kurrë Kosova s’ka qenë më afër heqjes së vizave sesa që jemi sot. Kurrë s’është punuar më shumë, asnjëherë nuk janë shënuar rezultate pozitive, s’duam ta mashtrojmë popullin. S’kemi dhënë muaj e data, por po punojmë fuqishëm që ky proces një herë e mirë të marrë epilog. Të bashkohemi sepse do të përfitojmë njëjtë, si pozita si opozita. Rruga jonë drejt BE-së është një angazhim i kahershëm pa dallim. Në rrugën drejt BE-së duhet të jemi të bashkuar, le të provojmë ta ruajmë frymën e mirë dhe bashkëpunuese në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë”, tha ajo.

​AAK paraqet rezolutë për liberalizimin e vizave

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar rezolutë në lidhje me mos liberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri gjatë debatit parlamentar ka deklaruar se përmes kësaj rezolute, deputetët do të shtyjnë përpara reformat për shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsionit e zbatim të ligjeve.

Po ashtu, Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të punojë në avancimin e platformës shtetërore, varësisht zhvillimeve të Bashkimit Evropian.

Ai tha se kjo rezolutë është e nevojshme dhe kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Tahiri: Është momenti vendimtar kur Kuvendi paraqet këtë rezolutë

“Është momenti vendimtar kur Kuvendi i Kosovës në pajtim të plot me detyrimet kushtetuese, paraqes këtë rezolutë për të shprehur qëndrimet si më poshtë: Deputetët e kuvendit zotohemi se do t’i shtyjmë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsion, projektet për punësim dhe zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, mbikëqyrjen e rreptë të qeverisjes në raport me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Si dhe garantimin e çdo standardi evropian mbi të dhënat personale dhe gjendjes civil, kontrollin trafikimit me qenie njerëzore dhe luftimin e pa kompromis të të gjitha formave të trafiqeve me narkotikë”, ka thënë ai.

Përmes kësaj rezolute, Tahiri tha se të gjitha subjektet politike zotohen dhe angazhohen në sigurimin e garancive që institucionet ligj-zbatuese i kanë dhënë shteteve anëtare të BE-së në raport me sigurimin e lëvizjes së lirë.

Tahiri: Platforma e Qeverisë duhet t’i prezantohet Kuvendit

“U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE. Ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shëngen për qytetarët e Kosovës. Qeveria e vendit të punojë në avancimin e platformës shtetërore, politike, ekonomike kundruall zhvillimeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin eventual të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdimin e status quo-s dhe të gjithashtu pozicionimit të Republikës së Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Platforma duhet t’i prezantohet kuvendit për miratim”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga ekzekutivi përfshirjen e ekspertëve për të ndihmuar në këtë platformë.

Deputeti Besnik Tahiri po ashtu para fillimit të këtij debati parlamentar ka propozuar mocion për vendosjen në krye të rendit të ditës të kësaj pike. Të gjithë deputetët e pranishëm kanë votuar pro këtij mocioni.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të BE-së pavarësisht asaj se i ka plotësuar të gjitha kushtet e para, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian.

Zemaj: Fajin për mosliberalizim e kanë edhe figurat që janë në krye të shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nuk mund të fajësohet Bashkimi Evropian për mungesë të liberalizimit të Kosovës, pasi sipas tij, faj kanë edhe krerët shtetëror.

“Edhe neve si grup parlamentar po shprehim shqetësim për mungesë liberalizimi të vizave. Nuk mund të fajësojmë vetëm BE-në por u pamundësua nga disa figura që janë në krye të shtetit. Sot është një situatë e favorshme të përmbyllet çështja e vizave. Zëra brenda BE thonë se duhet të kthehet në pikën zero. Është e pafalshme për Qeverinë nëse ndodhë një gjë e tille”, ka thënë Zemaj.

Kalon mocioni i propozuar nga AAK për debatin rreth mosliberalizimit të vizave

Të gjithë deputetët kanë votuar pro mocionit të propozuar nga AAK-ja për ndryshimin e pikës së 16-të.

AAK kërkoi që debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën, të kalojë në pikën e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat