Borell optimist për takimin Kurti-Vuçiq

Aktuale

Borell optimist për takimin Kurti-Vuçiq

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 10:55
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell dhe Albin Kurti

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, ka njoftuar për fillimin e takimit të nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.

Kryediplomati evropian ka publikuar fotografi me dy liderët, duke thënë se pas tensioneve të fundit në veri ka ardhur koha që të ecet përpara drejt normalizimit të plotë.

“Sot në mëngjes po e fillojmë takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borell.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat