Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia

Aktuale

Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 14:01
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Për çfarë paralajmëroi Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 8 gusht, ai gjithashtu nuk ka dashur të zbulojë se për cilat organizata bëhet fjalë, duke shpjeguar se nuk dëshiron t’i bëjë të famshme duke ua përmendur “emrat e princërve nga Mesjeta".Megjithatë, Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

“Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta”, ka thënë Kurti.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.

Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, vlerësojnë se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.

Të dy ekspertët nënvizojnë gjithashtu se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është "satelit i Rusisë" dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Organizatat e “lidhura” me Vidovdanin, Moskën dhe barrikadat

Në Serbi ekzistojnë një sërë organizatash që e lidhin aktivitetin e tyre me Vidovdanin, pra me 28 qershorin kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

Shumica prej tyre, përmes disa aktiviteteve, veprojnë edhe në Kosovë.

Kështu, Lëvizja “1389” (Pokret “1389) organizon çdo vit shkuarjen e serbëve në Gazimestan, Kosovë, më 28 qershor.

Këtë ditë e shënon edhe Kisha Ortodokse Serbe (KPS) – e cila njihet si Vidovdan.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes “1389”, thuhet se grupi është “shoqatë ortodokse shtet-formuese humanitare kombëtare, e cila merret me ruajtjen e vlerave shpirtërore, historike, kulturore e të tjera të popullit serb dhe afirmimit të traditës, duke mos anashkaluar nevojën e zhvillimit të shtetit”.

“Ne po punojmë për ringjalljen e shtetit ortodoks, me theks në dinastinë të Nemanjiqit (themeluesit mesjetar të shtetit serb), Obrenoviqit dhe Karagjorgjeviqit (dy dinastitë që ishin në pushtet në Serbi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të) në Serbi dhe Romanovët në Rusi (familja e fundit perandorake ruse)”, thuhet në përshkrim.

Por, “1389” është një lëvizje e djathtë nga Serbia, anëtarët e së cilës flasin hapur për “mbrojtjen” e Kosovës dhe janë kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë parë edhe në vitin 2011 në barrikada në veri të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Misha Vaçiq, ka qenë kandidat për president para grupit qytetar “Patrioti serb”. Nënshkrimet për kandidaturën për president i ka dorëzuar me pishtar.

Shërbimi informativ i së djathtës serbe pati njoftuar më pas se ai ka mbërritur në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, me një “xhip të blinduar me targa ruse”. Në kolonën e automjeteve me flamuj serbë dhe rusë, disa automjete kanë pasur shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat