Pas Nagavcit, dështon kandidatura e Dimal Bashës

Aktuale

Pas Nagavcit, dështon kandidatura e Dimal Bashës

Më: 24 gusht 2025 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 10:53 më 24.08.2025
Foto ilustrim

Matoshi: Po më duket mua po më kandidojnë

Deputetja e Vetëvendosjes, Adriana Matoshi pak para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dha një përgjigje të shkurtër pas interesimit të gazetarëve se kush do të propozohet sot për kryetar të Kuvendit.

“Po më duket mua opo më kandidojnë”, tha Matoshi.

Avdyli: PDK nuk e ka luksin të caktojë emrin e kryetarit të Kuvendit

Deputeti i Vetëvendosjes , Haxhi Avdyli, para seancës konstituive, tha se kryetari i Kuvendit duhet të jetë një figurë publike me përkrahje të madhe dhe jo të caktohet nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai tha se kjo çështje është e qartë sipas praktikave demokratike dhe historisë.

“Gjithmonë është ditur nga historia, nga shtetet demokratike se kush do të bëhet kryetar i Parlamentit. Kryetar i Parlamentit bëhet një figurë publike me përkrahje të madhe.

Nuk është kjo dëshirë e PDK-së me na caktu neve një deputet me 10 mijë vota e dikush me 120 mijë vota nuk bëjnë. Ne e dimë që do të propozohet njerëzit të cilët kanë përkrahje qytetare.

Këtu ministrat kanë. Nuk mundemi ne me ra pre e kërkesave të PDK-së, sepse PDK nuk e ka atë luks ose nuk e ka atë mundësi që ata me caktu emrin. Ne i ftojmë për dialog”, tha Avdyli.

Edhe një tentim për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen të dielën, më 24 gusht, në përpjekjen e radhës për të konstituuar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ky është vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin, por që të tre nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.

LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.

Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Si nisi ngërçi politik?

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura - aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht - përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t'i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL

Deputetët sërish sot tentojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili ka mbetur i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Partia që ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit ka paraqitur deri tani tre emra: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të marrë shumicën e votave, duke mbledhur vetëm 57 vota pro në dy tentativat e fundit.

Edhe pse ende nuk dihet cili emër do të propozohet sot nga Lëvizja Vetëvendosje, është fakt që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë.

Ndërkaq, AAK-ja në seancën e fundit abstenuan në votimin për Muratin, ndryshe nga dy herët e tjera kur votuan kundër Haxhiut dhe Gërvallës.

Vetëvendosje vazhdimisht ka sulmuar partitë ish-opozitare për bllokimin e Kuvendit.
PDK-ja ka deklaruar se do ta votojë çdo deputet të VV-së që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit. LDK-ja, ndërkaq, është e vendosur të votojë kundër çdo kandidati të VV-së.

Ngërçi politik vazhdon të jetë shqetësues. Njohësit e politikës kërkojnë konsensus mes partive për të dalë nga kjo situatë, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk do të jenë zgjidhje, pasi rezultatet pritet të jenë përafërsisht të njëjta.

Argumenti i njohësve të politikës është se mungesa e institucioneve ka dëmtuar ndjeshëm qytetarët dhe ekonominë, ndërsa zgjidhja e vetme është dialogu dhe kompromisi politik.
“Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do të sjellë ndryshime dramatike. Do të kemi përsëri një ngërç tjetër pas tyre,” ka theksuar analisti Argjend Zejnaj, raporton RTKlive.

Nga ana tjetër, politikanë dhe analistë janë optimistë se Kuvendi do të konstituohet së shpejti, megjithëse as Lëvizja Vetëvendosje dhe as ish-opozita nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

“Çdo vonesë dëmton popullin dhe institucionet. Duhet të formohen institucionet sa më parë,” ka thënë Jeton Halimi, politikan dhe analist.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat deputetëve që të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët deri më 18 shtator, duke shtuar presionin mbi partitë për të gjetur një zgjidhje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat