Ish i burgosuri politik, Enver Dugolli, ka njoftuar sot se është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si i pandehur për akuzën e nxitjes së urrejtjes. Padia ndaj tij është ngritur nga Shpend Istogu, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe djali i Ajet Istogut, një ish-oficer i njohur i UDB-së.
Në reagimin e tij publik, Dugolli ka theksuar se gjatë viteve 1980 ishte viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu – për të cilin thotë se ishte i përfshirë në tortura sistematike ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë.
“Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu”, ka shkruar Dugolli në rrjetet sociale.
Ai ka shtuar se nuk pret nga familjarët e ish-oficerëve të kërkojnë falje, por të paktën të tregojnë “pak dinjitet”, qoftë edhe përmes heshtjes, dhe jo përmes padive që, sipas tij, mbrojnë krimet e së kaluarës.
“Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda ndaj të burgosurve politikë – jo si i pandehur për këso lloj pretendimesh”, ka theksuar ai.
Dugolli në të kaluarën ka publikuar deklarata ku përmend emra të disa shqiptarëve që, sipas tij, kanë bashkëpunuar me UDB-në dhe kanë ushtruar tortura ndaj shqiptarëve gjatë kohës së Jugosllavisë. Ndër emrat që ka përmendur janë:
Ajet Istogu
Isa Bunjaku
Lutfi Ajazi
Hamëz Hajra
Tahir Shala