Arben Fetahu: FIBA na ka besuar tri ngjarje shumë të rëndësishme

Basketboll

Arben Fetahu: FIBA na ka besuar tri ngjarje shumë të rëndësishme

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 13:03
Arben Fetahu: FIBA na ka besuar tri ngjarje shumë të rëndësishme

Viti 2020 nuk ka qenë i lehtë në mbarë globin, që është përballur me pandeminë e Covid-19. Edhe Federata e Basketbollit e Kosovës kishte sfida e vështirësi gjatë vitit që po lëmë pas, por nuk munguan as sukseset.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka rrumbullakësuar kështu vitin 2020: “Sigurisht se ky vit nuk ka qenë i lehtë për askënd. Jemi përballur me vështirësi, që nuk kemi menduar se do të përballemi më herët.

Kemi pasur telashe, që nuk kemi menduar se do të kemi, megjithatë, nuk kanë munguar as sukseset dhe besoj se ia kemi dalur me sukses.

E kemi nisur vitin 2020 me grumbullimet e Përfaqësueseve të reja, për të vazhduar më pas me organizimin e shkëlqyeshëm të Final 8 Kupës së Kosovës, më pas erdhën dy fitoret e Kosovës, dhe u mbajt Kuvendi i Punës. Megjithatë, në mars ishin rastet e para me Covid-19 në Kosovë dhe ishim të obliguar të ndërpresim garat. Pas fillimit të pandemisë, jemi organizuar dhe besoj që e kemi menaxhuar mirë këtë situatë.

Në një vit aspak të lehtë, kemi siguruar sponsorë dhe nuk jemi ndalur asnjëherë”, është shprehur Fetahu për faqen zyrtare të FBK-së.

Por, nuk munguan as sukseset. Një sukses madhor mund të konsiderohet edhe formimi i Ligës Unike. “Më herët ka qenë një ëndërr për të gjithë shqiptarët. Nuk është menduar dhe besuar se do të realizohet.

Por, falë punës intensive të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, kemi jetësuar ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, që të kemi një ligë të përbashkët.

Është një sukses, jo vetëm për basketbollin, por edhe sportin mbarëshqiptar. Këtë ligë e ka ngadalësuar të fillojë vetëm pandemia, për shkak se klubet në Shqipëri nuk lejohen të stërviten, por sigurisht se garat do të zhvillohen në vitin 2021 dhe nuk ka asgjë që e ndal”, ka shtuar tutje i pari i basketbollit të Kosovës.

FBK është duke hartuar Planin Strategjik 2021-2025, diçka e paparë deri më tani.

“Ne asnjëherë nuk kemi menduar të punojmë vetëm sot për sot. Duam të kemi një plan afatgjatë dhe të zhvillojmë basketbollin e Kosovës. Kemi punuar me të gjitha grupet e interesit dhe nga viti i ardhshëm do të implementojmë Planin Strategjik, që besoj do të jetë i mirëseardhur për të gjithë ata që punojnë në basketbollin e Kosovës”, theksoi Fetahu, i cili më 18 Dhjetor, fitoi besimin e të gjithë delegatëve për të vazhduar mandatin në krye të FBK-së edhe për katër vitet e ardhshme.

Për FBK-në, prioritet gjithmonë mbesin gjeneratat e reja dhe femrat në basketboll. “Për herë të parë Përfaqësuesja A e femrave do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla, ku presim një përfaqësim dinjitoz. Por, sigurisht vetë debutimi është histori në vete.

Tashmë vashat e reja mund të realizojnë ëndrrën e tyre që një ditë të luajnë për Kosovën A. Puna me gjenerata të reja nuk është ndalur asnjëherë dhe sigurisht është prioritet për ne”, nënvizoi kryetari i FBK-së.

Kosova A (meshkujt) në vitin 2020 ka shënuar dy fitore dhe dy humbje.

“Kemi filluar mirë vitin 2020 me dy fitore. Fitorja ndaj Islandës ishte shumë e bukur dhe kemi mundur edhe Luksemburgun. Megjithatë, në muajin nëntor pësuam nga Sllovakia dhe Islanda, ku kishim pesë mungesa kyçe dhe nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Megjithatë, në shkurt të vitit 2021 kemi ndeshjet në shtëpi dhe me dy fitore mund të kualifikohemi në rrethin e ardhshëm. Unë jam optimist për suksese”.

Kosova në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023 ka dy fitore dhe dy humbje.

Viti 2021 do të jetë i ngjeshur për Federatën e Basketbollit të Kosovës. “Bordi i FIBA Evropës na ka besuar organizimin e ‘fluskës’ në muajin shkurt, ku do të zhvillohen ndeshjet në Prishtinë, në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023.

Këto do të jenë sfida jo vetëm sportive, por edhe organizative, sepse duhet të testojmë lojtarët me Covid-19, të bëjmë akomodimin e tyre dhe të përkujdesemi për gjithçka.

Po ashtu gjatë verës kemi Kampionatin Evropian, Divizioni C, për meshkuj U16. Ne jemi dëshmuar si organizatorë të mirë dhe për këtë arsye, për tri vite me radhë, FIBA na ka besuar tri ngjarje shumë të rëndësishme.

Në të ardhmen e afërt, do të organizojmë edhe Kampionate tjera Evropiane në Prishtinë”, nënvizoi Fetahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat