Haxhimusa: U dhanë para të majme për ‘trajnerët më të famshëm’ dhe shkulën rrënjët e basketbollit në Ferizaj

Basketboll

Haxhimusa: U dhanë para të majme për ‘trajnerët më të famshëm’ dhe shkulën rrënjët e basketbollit në Ferizaj

Nga: Kemajl Goca Më: 8 janar 2021 Në ora: 13:18
Haxhimusa: U dhanë para të majme për ‘trajnerët më të famshëm’ dhe shkulën rrënjët e basketbollit në Ferizaj

Ditëve të fundit po diskutohet mënyra e rithemelimit të klubit të basketbollit në Ferizaj dhe të garojnë në Ligën e Parë të Kosovës gjatë edicionit 2021-2022.

Përgjegjësi për sport në Komunën e Ferizajt, Bashkim Haxhimusa, tha se në të kaluarën janë dhënë mjete të majme në basketbollin Ferizajt në konkurrencën e meshkujve dhe në prurjen e trajnerëve të famshëm. Ai ka përmendur edhe disa prej tyre, që udhëhoqën KB Kasttriotin në periudhat e ndryshme dhe nuk kanë bërë asgjë. Ky klub nga viti 2015 është shuar.   

“Bota sot”: Pa basketboll të meshkujt, si ndodhi?  

“Bashkim Haxhimusa: Sporti dhe Përkushtimi! Që nga vitit 2000 sporti i basketbollit në Komunën e Ferizajt ishte mjaft aktiv dhe kishte një zhvillim të hovshëm me të gjitha grupmoshat në të dy gjinitë, e që kishte një përkrahje të fuqishme si nga ana e Qeverisë Komunale, ashtu edhe nga Donatorët ferizajas. Kur jemi te basketbolli i meshkujve, në të kaluarën ishin dhënë para të majme për “trajnerët më të famshëm” të cilët shkulën rrënjët e basketbollit në Ferizaj duke u thirrur në suksese, e që ato nuk erdhën kurrë dhe kjo gjendje zgjati një kohë bukur të gjatë.

Për këtë “ngritje të cilësisë” së basketbollit ferizajas u përkujdesën trajnerët si: Damo, Behrami, Nixha, B. Krasniqi dhe shumë të tjerë, e që të gjithë këta premtuan suksese kulmore për sportin e basketbollit dhe morën para të majme nga ana e Qeverive Komunale dhe donatorëve dhe përfundimisht e lanë sportin e basketbollin ashtu siç shihet.

Më e keqja e kësaj kohe ishte se të gjithë këta trajnerë kërkuan përforcime nga jashtë, dhe ata basketbollistë ferizajas të cilët kishin kualitete bukur të mira mbetën në tribuna me vite të tëra dhe kështu i humbëm edhe ata lojtarë, basketbollistë bukur të mirë që kishim, duke i pritur sukseset kulmore që kishin premtuar “trajnerët e famshëm”.

“Bota sot”: Pas shkuarjes së këtyre, çfarë ngjau?
Bashkim Haxhimusa
: Pas shkuarjes së “trajnerëve të famshëm” dhe humbjes së djemve tanë  të basketbollit, që kishin mbetur pasiv përafërsisht mbi 5 vite në tribuna, ne  humbëm shikuesit dhe të gjithë dashamirët e sportit të basketbollit dhe kështu sot gjendemi në një pozitë që mos  të ketë apo ndërmarrë guxim askush për të riorganizuar basketbollin ferizajas.
 

“Bota sot”:  Pas kësaj situate?
Bashkim Haxhimusa:
Pas kësaj situate Qeveria Komunale gjegjësisht DKRS, që disa vite iu ka ofruar të gjithë sportdashësve të basketbollit në Ferizaj që t’i mbledhin forcat dhe dijen sportive  me qëllim që të riaktivizohet sporti i basketbollit, ku prapa tyre për ndihmën financiare dhe teknike, do të jenë donatorët ferizajas dhe Qeveria Komunale gjegjësisht DKRS, por për gjithë këtë situatë në basketbollin ferizajas nuk është e pafajshme as Federata e Basketbollit.

Të gjitha Federatat në Kosovë e kanë bërë gabimin e njejtë sa i përket sporteve të të gjitha klubeve sportive në Kosovë, sepse së paku deri tani janë sjellë sikur janë të gjithdijshëm, dhe nuk i kanë shfrytëzuar potencialet profesionale të Fakultetit të Edukimit Fizik të Universitetit të Prishtinës, në situata të tilla si në basketbollin ferizajas, të shfrytëzohen absolventët e tyre me pagesa simbolike me qëllim të ngritjes së cilësisë në grupmosha të reja, por pse jo edhe formimin e klubeve me kualitete të larta, pra aty ku mungojnë klubet.

Me zbatueshmërinë e kësaj forme nga ana e federatave, jo vetëm që do të ndihmohen financiarisht studentët absolvent, por do të ngritet niveli i sportit në përgjithësi dhe këta studentë pas përfundimit të studimeve do të bëhen ndonjëri prej atyre trajnerëve profesional në sportet gjegjëse.

“Bota sot”: Çfarë duhet të bëjmë apo si të veprojmë?

Bashkim Haxhimusa: Ne duhet të korrigjohemi të gjithë, por më së shumti Federatat, që me këmbëngulje mos të lejohet udhëheqja e klubeve sportive nga profiterët, nga personat që as në televizion nuk kanë shikuar sportin, por edhe nga zhvatësit kinse se po e ndihmojnë sportin.

Mbesim me shpresë që viti 2021 të na ndryshoj të gjithëve dhe vërtetë sporti dhe klubet e Kosovës të gjenden atu ku e meritojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat