Apeli i federatës: Ndodhemi në vështirësi të jashtëzakonshme

Basketboll

Apeli i federatës: Ndodhemi në vështirësi të jashtëzakonshme

Më: 15 janar 2021 Në ora: 12:26
Apeli i federatës: Ndodhemi në vështirësi të jashtëzakonshme

Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë së fundmi kërkesën e radhës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ku shpreson që të hapet drita jeshile për t’u rikthyer në parket. FSHB edhe një herë nëpërmjet një letre nga sekretari Korab Llazani, evidenton vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilat ndodhet basketbolli për shkak të ndalimit të eventeve, duke nisur që nga përjashtimi i kombëtares së femrave nga garat europiane, pjesëmarrja e meshkujve në ndeshjet ndërkombëtare pa përgatitje si dhe eksodi i lojtarëve të kampionatit shqiptar në Kosovë, aty ku lejohen aktivitetet.

Gjithashtu, FSHB-ja i bën të ditur ministrisë se kjo situatë jo vetëm ka sjellë humbje të mëdha në burime njerëzore, me efekte të jashtëzakonshme financiare, sociale dhe shëndetësore, por ndjell frikë dhe pasiguri për vazhdimësinë.

Drejtuesit e sportit të koshit kërkojnë që të argumentohet përse nuk lejohet basketbolli në Shqipëri, duke e bërë vendin tonë të vetmin në botë që i mban pezull të gjitha kompeticionet.

Nga ana tjetër federata garanton angazhim maksimal në respektimin e rregullave dhe protokolleve antiCOVID, ndërsa shpreson që më në fund të vijë leja e shumëdëshiruar.

Në shkresën e FSHB-së drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, federata ngre alarmin edhe për ndeshjet e ardhshme, të kombëtares së meshkujve që do të mbahen më datat 15-21 shkurt në Qipro, me shpresën që këtë herë, ndryshe nga kërkesat e mëparshme të vijë lajmi i shumëpritur për rifillimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat