Dushku dhe Medunjanin pjesë e programeve të projektit FIBA TIME

Basketboll

Dushku dhe Medunjanin pjesë e programeve të projektit FIBA TIME

Më: 21 janar 2021 Në ora: 13:11
Dushku dhe Medunjanin pjesë e programeve të projektit FIBA TIME

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku dhe Edita Medunjanin (ish-basketbolliste dhe pjesë e stafit të Përfaqësueses A të Kosovës) së fundi janë njoftuar nga FIBA se pas propozimit të Bordit të FBK-së janë pranuar në programet SWISH (Programi i Politikave Sportive dhe Integritetit), respektisht WiLEAD (Femrat në Udhëheqje).

Të dy këto programe janë pjesë e projektit FIBA TIME OUT 2.0, projekt ky i FIBA-s në bashkëfinancim me Erasmus+ i Bashkimit Evropian dhe që i dedikohet anëtarëve të stafit të Federatave Nacionale.

Dushku dhe Medunjanin në nëntor të vitit të kaluar janë propozuar nga Bordi i FBK-së për programet në fjalë dhe së fundi nga FIBA e kanë marrë konfirmimin se janë pranuar në këto programe shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtutjeshëm të FBK-së.

Të dyja programet do të fillojnë në fund të muajit janar dhe do të përfundojnë në shtator 2021, ku janë të përfshira Punëtori Online, Punëtori në person, si dhe përmbyllja e aktivitetit bëhet nëpërmjet një punimi në formë të projektit që do të prezantohet në selinë qendrore të FIBA-s në Mies të Zvicrës.

Programet SWISH dhe WiLEAD përfshijnë: Integritetin, Qeverisjen e Mirë, Barazinë dhe Diversitetin, si dhe Sportistët pas përfundimit të Karrierës aktive.

SWISH është një program i hartuar me qëllim që të edukojë dhe mentorojë pjesëmarrësit e zgjedhur në menaxhim dhe administrim në fushën e integritetit dhe politikave sportive, me synimin për të kuptuar me sukses rregulloret e FIBA-s si dhe rëndësinë e të qenit në përputhje me politikat ose rregulloret e integritetit.

Përmes një serie prezantimesh nga ekspertë nga fusha e politikës sportive në një gamë të gjerë të organizatave sportive, punëtori dhe diskutime mbi rregulla dhe rregullore të ndryshme, qëllimi i programit është të sigurojë që të gjithë pjesëmarrësit dhe federatat e tyre të kenë qartësi dhe kuptim të Rregulloreve të FIBA-s, si dhe politikave tjera kryesore sportive.

WiLEAD është një program i krijuar për të identifikuar, edukuar, motivuar dhe zhvilluar gjeneratën e re të femrave udhëheqëse në menaxhim dhe administratë.

Përmes tregimeve të femrave të suksesshme dhe sesioneve edukativo-arsimore, qëllimi është të ndihmohet në vendosjen e femrave të kualifikuara për personelin e ardhshëm ose nevojat vullnetare - të dyja, si brenda FIBA-s, ashtu edhe brenda Federatave Nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat