​Berisha për humbjen nga Sllovakia: Ndikoi lodhja por na munguan edhe tifozët

Basketboll

​Berisha për humbjen nga Sllovakia: Ndikoi lodhja por na munguan edhe tifozët

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 16:32
Dardan Berisha

Kombëtarja e Kosovës në basketboll nuk arriti që të vazhdojë kualifikimet për në Kampionatit Botëror 2023 pas dy humbjeve radhazi ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë në Prishtinë. Ndeshja ndaj Sllovakisë ishte mundësia e fundit që Kosova të kualifikohej tutje pasi paraprakisht Islanda e kishte mposhtur Luksemburgun dhe gjithçka varej nga rezultati i këtij takimi.

Kapiteni i Kosovës Dardan Berisha, në një intervistë ka thënë se mungesa e tifozëve në sallë dhe lodhja e ekipi ndikoi në rezultatin final të kësaj ndeshjeje.

“Mendoj, ka qenë edhe presioni, na kanë munguar shumë tifozët, për shkak të pandemisë nuk kanë qenë aty edhe që është për neve plus i madh dhe në këtë rast ka qenë minus që nuk i kemi pasur afër vetes. Mendoj që edhe lodhja, edhe në fund nuk kemi pasur fat. Vërtetë i kemi pasur shanset për të fituar por nuk e bëmë, por po mendoj që është eksperiencë e madhe për neve edhe do të na ndihmojë shumë kjo lojë për të ardhmen, edhe po shpresoj që në të ardhmen do të fitojmë”, tha Berisha.

Sa i përket garës për titull në Superligën e Kosovës në basketboll, Berisha duke folur për KosovaPress tha se po zhvillohet një garë e fuqishme për shkak se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe se edhe skuadra e tij, Peja, është njëra nga skuadrat pretendente për titull.

“Liga është shumë e barabartë edhe secili-secilin mundet me fitua kështu që është shumë më interesante. Normal ambiciet tona janë për të fituar po nuk do të jetë e lehtë. Normal po them është vit shumë i vështirë për të gjithë, njëkohësisht edhe për neve. Shpresoj që me punën që jemi duke e bërë edhe me pak fat ndoshta edhe jemi pretendent për të fituar por thash të gjitha ekipet janë përforcuar, janë të mira edhe vërtetë ka me qenë shumë (garë) interesante”, tha në fund Berisha.

Dardan Berisha u shpall “Sportisti i Vitit 2020” nga Komitetit Olimpik i Kosovës në ceremoninë “Laureatët 2020”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat