Sigal Prishtina, skuadra më e trofeshme nga Kosova në Ligën Unike

Basketboll

Sigal Prishtina, skuadra më e trofeshme nga Kosova në Ligën Unike

Më: 3 prill 2021 Në ora: 19:29
Sigal Prishtina, skuadra më e trofeshme nga Kosova në Ligën Unike

Liga Unike mes skuadrave më të mira nga Kosova dhe Shqipëria do të fillojë mesjavën e ardhshme, me ndeshjet çerekfinale në Rahovec, kurse më 13-14 prill ndeshjet gjysmëfinale, takimi për vendin e tretë dhe finalja e madhe do të zhvillohen në Durrës.

Pandemia me Covid-19 bëri që Liga Unike të mos zhvillohet sipas planit, por do të mbahet si Final 8. Kjo është hera e parë që një ligë funksionon mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, që formuar me iniciativën nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB).

Nga FBK janë nominuar Sigal Prishtina, Rahoveci, Golden Eagle Ylli dhe Peja, që ishin në top-4, para ndërprerjes të kampionatit 2019-2020 nga pandemia.

Sigal Prishtina: Skuadra prishtinase është më e trofeshmja në këtë garë nga Kosova. Bardhekaltrit kanë fituar 14 herë titullin në Kosovë, 15 herë Kupën, 7 herë Superkupën dhe dy herë Ligën Ballkanike. Po ashtu prishtinasit kanë qenë në top-16 të FIBA Europe Cup dhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Shumë basketbollistë të dalluar kanë dhënë kontribut të madh, derisa kapiteni Edmond Azemi, ka ngritur shumë trofe në karrierën e tij, duke qenë njëri nga sportistët më të suksesshëm në Kosovë. Kjo skuadër ka pasur edhe trajnerë të dalluar, si Josip Gjergja, Ekrem Memnun dhe Arben Krasniqi.

Peja: Pejanët kanë fituar shumë trofe, duke qenë një nga skuadrat më me traditë në basketbollin e Kosovës, nga ku kanë dalur shumë lojtarë të dalluar. Verdhezinjtë kanë fituar gjashtë herë titullin, katër herë Kupën dhe dy herë Superkupën. Ndër lojtarët që kanë lënë gjurmë janë: Acie Earl, Fred House, Ricardo Marsh, Samir Shaptahoviq, Dardan Berisha dhe Gerti Shima.

Golden Eagle Ylli: Skuadra nga Theranda ka bërë shumë investime në vitet e fundit, duke marrë pjesë rregullisht në “Play-off”. Therandasit ishin finalistë të Kupës më 2019 dhe 2021, por pa arritur të ngritin lartë Kupën. Te kjo skuadër luajnë katër basketbollistët e Kosovës: Gëzim Morina, Erjon Kastrati, Valon Bunjaku dhe Samir Zekiqi.

Rahoveci: Vreshtarët me një palestër shumë të bukur dhe me një organizim shumë të mirë, kanë qenë “arrë e fortë” për çdo kundërshtar dhe ka pasur gjithmonë synime të mëdha. Suksesi më i madh ishte vendi i dytë dhe në finale të Kupës më 2018/2019. Gjithashtu ishin edhe në kualifikime për FIBA Europe Cup.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat