Fetahu: Kemi investuar në pasurinë tonë të madhe - rininë tonë

Basketboll

Fetahu: Kemi investuar në pasurinë tonë të madhe - rininë tonë

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 13:08
Fetahu: Kemi investuar në pasurinë tonë të madhe - rininë tonë

Qendra Nacionale e Basketbollit është e para dhe e vetmja në Kosovë, ku janë grumbulluar 16 basketbollistë nga e tërë Kosova, të cilët vlerësohen me të ardhme të ndritur.

Ky projekt është realizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka folur për rëndësinë e kësaj Qendre.

“Kjo është hera e parë që në vendin tonë zhvillohet një projekt i përmasave të tilla.

Pas planifikimeve dhe shtyrjes prej një viti, projekti ka filluar të jetësohet nga mesi i muajit tetor edhe atë në format paksa të modifikuar. Janë grumbulluar lojtarët më potencialë nga e gjithë Kosova që pritet të jenë e ardhmja basketbollit të Kosovës, por kërkimi dhe grumbullimi i talenteve nuk ka përfunduar me kaq.

Ne duhet të fillojmë menjëherë gjahun për talente të rinj e shtatëlartësi në mesin e gjeneratave të reja për të formësuar brumin e gjeneratave të reja të basketbollistëve të cilët do t’i shërbejnë jo vetëm Përfaqësueseve të Kosovës, por edhe klubeve të veta e basketbollit në përgjithësi”, është shprehur Fetahu për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollistët e rinj po stërviten dy herë në ditë dhe janë akomoduar në Prishtinë, kurse të gjitha shpenzimet mbulohen nga FBK-ja.

“Në Qendrën Nacionale për Zhvillimin e Basketbollit, e cila punimet e veta po i zhvillon falë bashkëpunimit me Qendrën Social-Edukative “Don Bosko” në Prishtinë, vijuesit punojnë profesionalisht nga dy herë në ditë gjatë ditëve të javës nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një ekipi profesionishtësh me bagazh në basketbollin e Kosovës, ndërsa në fundjava lirohen për të luajtur për ekipet e tyre përkatëse. Federata e ka marrë përsipër mbulimin e të gjitha kostove të jetesës dhe stërvitjes për vijuesit e Qendrës

Nacionale, duke zbarkuar kështu në njërin prej projekteve më të mëdha dhe më të kushtueshme të saj, të gjitha me qëllim të krijimit të kushteve optimale të punës për Qendrën Nacionale. Por, kjo është vetëm nisma, duke qenë se nga vjeshta e radhës, numri i vijuesve do të dyfishohet me prurje të reja dhe puna do të intensifikohet edhe më tej, e gjitha me qëllimin që brenda tri vitesh të arrijmë të kemi për çdo vit nga 32 vijues të rinj në programin e Qendrës Nacionale”, shtoi tutje Fetahu.

Lojtarët U15 i kanë të gjitha kushtet për zhvillim dhe formim, për të qenë e ardhmja e basketbollit e Kosovës.

“Përveç punës me vijuesit aktualë të Qendrës Nacionale, pjesë e angazhimeve të rregullta të ekipit profesional të punësuar në Qendër, të përbërë nga trajnerët Valentin Spaqi dhe Driton Obërtinca, të përkrahur dhe mbikëqyrur nga Drejtori Teknik i FBK-së, Arben Krasniqi, do të jetë edhe identifikimi i talenteve të rinj dhe përgatitja e terrenit për sjelljen dhe inkuadrimin e tyre.

Mua më jep kënaqësi të veçantë fakti që për lojtarët më potencialë në Kosovë do të jemi në gjendje ta ofrojmë një mjedis profesional të punës, duke u ofruar atyre kushte të zhvillimit dhe realizimit të ëndrrave për t’u bërë basketbollistë e basketbolliste të ardhshme që do të mbrojnë ngjyrat e vendit tonë.

Kjo përbën veç fillimin e investimeve në brendin e basketbollit të Kosovës, prandaj përkundër sfidave të hasura në fillim dhe gjendjes aktuale me pandeminë, ne kemi vendosur që të shkojmë tutje dhe të fillojmë me këtë projekt i cili po zhvillohet në një formë të modifikuar nga ajo që kemi ideuar fillimisht në fund të vitit 2019.

Lajm i jashtëzakonshëm është që për idenë tonë dhe programin e Qendrës Nacionale veç kemi përkrahje edhe nga MKRS, edhe nga sponsorët privatë, të cilët i kanë besuar vizionit tonë për ngritjen e basketbollit duke punuar me ata të cilët e përbëjnë pasurinë tonë më të madhe kombëtare - rininë tonë”, përfundoi Arben Fetahu.

Ky projekt është 4 vjeçar, ndërsa në vitin e ardhshëm do të fillohet edhe me konkurrencën e femrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat