​Drejtori sportiv i KB Pejës: Ylli nuk është rival për titull, do ta kemi një edicion të zjarrtë

Basketboll

​Drejtori sportiv i KB Pejës: Ylli nuk është rival për titull, do ta kemi një edicion të zjarrtë

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 11:43
Arbër Elshani

Klubi i basketbollit Peja e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri të Superligës së Kosovës. Dy fitore në dy ndeshjet i arriti pasi mposhti Sigal Prishtinën dhe Ponte Prizrenin. Kjo nisje e furishme jep sinjalet e para se klubi pejan do të jetë rival serioz për titullin kampion, objektiv të cilin nuk e fsheh fare as drejtori i kësaj skuadre, Arbër Elshani.

Elshani thotë se ky edicion do të flasë për Pejën dhe synimet janë që në këtë qytet të vijnë të gjithë trofetë e mundshëm sezonal.

Elshani: Synojmë ta rikthejmë titullin e kampionit në Pejë

“KB Peja lufton për të gjitha trofetë. Do të luftojmë më 11 nëntor për Superkupën e Kosovës, do të luftojmë në shkurt për Kupën e Republikës së Kosovës, do të luftojmë për Ligën Unike, do të luftojmë për Ligën Ballkanike për të cilën tashmë edhe zyrtarisht e kemi dërguar kërkesën dhe presim të jemi pjesë e saj. Sa i përket Ligës Ballkani nuk dua t’i zbuloj të gjitha detajet, por do të ketë një risi rreth turneut ‘Final Four’, ndoshta do të zhvendosim në Pejë që do të jetë historike për ekipin tonë për arsye se e kemi 30-vjetorin e klubit dhe në muajin janar do të shikojmë ta përforcojmë ekipin edhe me dy lojtarë vendorë për të synuar seriozisht për ta rikthyer titullin në Pejë, pra titullin e kampionit e kemi target kryesor prej të gjitha trofeve që i përmenda”, tha Elshani.

Një tjetër test serioz Peja, do ta ketë këtë të diel, pasi do të ballafaqohet me Golden Eagle Yllin që është kampion në fuqi, por Elshani thotë se në këtë edicion skuadra nga Suhareka nuk është pretendente serioze për titull.

Elshani: Yllin nuk e shoh fare rival për titull

“T’iu them të drejtën Yllin nuk e shoh rival këtë edicion fare. Unë mendoj se Prishtina dhe Trepça janë dy rivalët kryesor të Pejës, ashtu siç janë Peja dhe Trepça rival të Prishtinës dhe Prishtina e Peja rival të Trepçës. Këto të tria do ta kenë fjalën kryesore në basketbollin e Kosovës. Edhe mendoj që skuadra nga Mitrovica ka ndërtuar një skuadër shumë cilësore, ashtu siç e ka ndërtuar edhe Prishtina pavarësisht se Ekrem Memnun u largua dhe kjo nuk është një lajm i mirë për basketbollin e Kosovës... Këtë edicion liga është shumë më e balancuar dhe do t’i përngjajë ligës profesionale të vitit 2003/04.”, theksoi Elshani.

Një tjetër shtytje të madhe për klubin, Elshani e pret edhe nga tifozët. Ai thotë se tashmë po thyhen rekorde sa i përket shitjes së biletave dhe paralajmëron rivalët se në “Karagaçi”, do të jetë një atmosferë e nxehtë për të gjithë rivalët.

Elshani: “Karagaçi” do të jetë sallë e nxehtë për të gjithë rivalët

“Palestra ‘Karagaçi’ nuk ka dyshim se do të jetë e stërmbushur. Madje për herë të parë dua ta ndajë me juve edhe një risi tjetër, për herë të parë klubi ka shitur aq shumë VIP Cards. Do të thotë është e pabesueshme çfarë interesimi i madh është në qytetin e Pejës. Kjo ka qenë me vite por sivjet është interesimi shumë i madh. Ndoshta e kanë parë edhe ndërtimin dhe seriozitetin e ekipit por ne pothuajse kemi filluar t’i shesim gati të gjitha biletat dhe po flas këtu për tiketa sezonale ku tifozi e blenë tiketën dhe vjen të gjithë sezonin dhe shikon të gjitha kompeticionet në KB Peja...Për këtë edicion iu garantoj që nëse loja është në orën 17:00, në orën 15:00 ‘Karagaçi’ do të jetë përplot shikues”, tha Elshani.

Gjatë afatit kalimtar për shitje-blerjen e lojtarëve, KB Peja u ballafaqua me një situatë të pakëndshme për shkak të basketbollistit, Daniel Lekndreaj, i cili edhe pse kishte edhe një vit kontratë me klubin pejan, vendosi të kalonte te Bashkimi.

Kjo çështje është dërguar edhe në Komisionin Arbitrar, i cili ka vendosur në favor të skuadrës prizrenase, por Elshani thotë se kjo ka ndodhur për shkak të ndikimeve nga persona të tjerë mbi këtë komision, duke përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Prizrenit.

Elshani: Turp si u vodhëm në rastin “Lekndreaj”

“Lojtari në fjalë, të cilit nuk ia përmendi emrin sepse ai nuk e meriton që ta përmend mendoj që ka bërë një shkelje shumë të madhe e bashkë me të edhe skuadra nga Prizreni, e cila ka shfrytëzuar njerëzit politikë siç është rasti i kryetarit të komunës i cili ndikon te Komisioni i Garave, te Leart Hoxha për ta lënë lojtarin të lirë të shkojë te Bashkimi, njëjtë kanë bërë edhe me Komisionin Arbitrar... Kryetari i Komunës së Prizrenit e ka bërë influentimin, e ka shfrytëzuar pozitën e vet edhe me këta persona e ka lejuar lojtarin në fjalë të kalojë te Bashkimi. Kontrata e lojtarit është e qartë, klubi Peja ka paguar 19 mijë euro të kontratës, atë e ka obliguar kontrata të qëndrojë edhe një vit te Peja... Kjo i ka dhënë një hije të keqe Federatës së Basketbollit të Kosovës, Komisionit Arbitrar, Korab Sejdiut si një njeri i cili kam besuar që është njeri kredibil... Aspak nuk na ka mbetur merak lojtari, trajneri ynë ka këmbëngulur që nuk llogarit fare në shërbimet e tij, por mënyra se si e kanë vjedhur dhe e kanë dërguar atë është turp, është turp për Federatën e Basketbollit të Kosovës”, tha Elshani në fund.

Pas dy xhirove të para, Peja dhe Trepça e kryesojnë tabelën e Superligës së Kosovës me nga katër pikë pas dy fitoreve, ndërsa në xhiron e tretë këto dy skuadra i presin rival të vështirë si Goldean Eagle Ylli, përkatësisht Sigal Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat