Emilia Lazo dhe Genti Nilo, në top-5 të Divizionin C

Basketboll

Emilia Lazo dhe Genti Nilo, në top-5 të Divizionin C

Më: 29 korrik 2025 Në ora: 16:36
Genti Nilo

Përfaqësueset kuqezi të basketbollit mbyllën të dielën konkurrimin e tytë në Divizionin C të Kampionatit Europian U-18 për vajza dhe djem.

Ndonëse rezultatet nuk ishin nga më të mirat, pasi të dyja ekipet nuk arritën që të bëheshin pjesë e zonës së medaljeve, me vajzat në vend të katërt dhe djemtë në të pestin, Shqipëria mund ti gëzohet përfshirjes në formacionin më të mirë të dy kuqezinjve.

Kështu në radhët e vajzave, u dallua Emilia Lazo, e cila u bë pjesë e pesëshes më të mirë të Divizionit C që u mbajt në Andorrë. Lazo solli qetësi dhe kreativitet në prapavijën e Shqipërisë, duke u shfaqur si një nga organizatoret më të mira të turneut.

Ajo realizoi mesatarisht 17 pikë dhe 3.8 asistime për ndeshje, duke u renditur e katërta në pikë të shënuara dhe e pesta në asistime. Vendimmarrja e saj e shpejtë dhe aftësia për të thyer mbrojtjet ishin thelbësore për rrjedhën ofensive të Shqipërisë.

Ndërkohë në Divizionin C që u organizua në Tiranë, spikati paraqitja nga Genti Nilo, i cili meritoi një vend në formacionin më të mirë të aktivitetit. Genti Nilo regjistroi mesatarisht 17.5 pikë, 6.5 ribaunde, 3.2 asistime dhe 1.7 vjedhje topi në Europian. Nilo shënoi 27 pikë kundër Andorrës dhe pati një “double-double” me 24 pikë dhe 10 ribaunde kundër Moldavisë në fazën e grupeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat