Shqipëria gjen fitoren e parë në Divizionin B të Europianit

Basketboll

Shqipëria gjen fitoren e parë në Divizionin B të Europianit

Më: 6 gusht 2025 Në ora: 19:37
Shqipëria

Shqipëria U-20 e basketbollit për femra i është gëzuar fitores së parë në Divizionin B të Kampionatit Europian, event që po mbahet në Miskolc të Hungarisë. Kombëtarja e të rejave, e drejtuar nga trajneri Vladimir Xheka, fitoi sot kundër Maltës me rezultatin 50-46, takim i vlefshëm për klasifikimin final të vendeve 9/14.

Një ndeshje, të cilën vajzat kuqezi e kontrolluan në pjesën më të madhe të kohës, duke kryesuar vazhdimisht, për të shkuar deri në +16 pikë, por në fund rrezikuan seriozisht që të shpërdoronin gjithçka.

Megjithatë, edhe pse në momentin më të vështirë, në sekondat finale Shqipëria arriti të rikuperojë, për të marrë edhe suksesin e merituar.

Perioda e parë nisi dhe vijoi nën diktatin e vajzave kuqezi, të cilat e komanduan lojën, duke fituar 19-12. Çereku i dytë ishte me shënjestër më të dobët, por gjithsesi Shqipëria bëri më mirë, duke e marrë atë 9-7, për të kryesuar 28-19 pas gjysmës së ndeshjes.

E ngjashme ishte edhe perioda e tretë, e fituar 10-8 nga Shqipëria, me 30 minutat që u mbyllën 38-27 për përfaqësuesen tonë. Në periodën e fundit Shqipëria nisi të humbasë terren, ndërsa maltezet ia dolën që të përmbysnin në 45-46, kur kishin mbetur edhe 25 sekonda nga sirena finale. Por në fund, Dhimitra Angjelakidhu me një gjuajtje të saktë për 3 pikë dhe Melida Hykaj me një kosh për 2 pikë, rikthyen qetësinë, duke vulosur suksesin 50-46 për Shqipërinë.

Angjelakidhu meritoi edhe vlerësimin MVP, duke regjistruar 16 pikë, 4 kërcime dhe 2 asistime. U dallua edhe Anisa Bokrina me 15 pikë, 2 kërcime dhe 4 asistime. Shqipëria do të rikthehet nesër në parket për ndeshjen e radhës për klasifikim final, teksa përballë do të ketë Rumaninë në orën 15:00.

DIVIZIONI B
(Hungari, 2-10 gusht)
GRUPI A

SHQIPËRI
BULLGARI
SERBI
DANIMARKË

REZULTATET NË GRUP
2 gusht
SHQIPËRI – DANIMARKË 45-78
3 gusht
SHQIPËRI – SERBI 22-116
4 gusht
SHQIPËRI – BULLGARI 42-100

PËR VENDET 9/14
6 gusht
SHQIPËRI – MALTË 50-46
7 gusht
SHQIPËRI – RUMANI 15:00

SHQIPËRI – MALTË 50-46
(19-12, 9-7, 10-8, 12-19)

SHQIPËRIA: Muçenji (6), Danaj (2), Hykaj (7), Angjelakidhu (16), Bokrina (15)/ Beqaj, Luca, Toska, Musaja (2), Disha (2).
Trajner: Vladimir Xheka

MALTA: Saliba (11), Fenech, Abela (5), Riolo (12), Pace (8)/ Pace (6), Sciberras (2), Marmara, Said, Baldachino (2).
Trajner: Charles Bonnici

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat