Sezoni 2025-2026 në basketboll ka nisur me surpriza të mëdha, duke nisur nga formati i ndryshuar i kampionatit të meshkujve apo dhe rënia drastike e numrit të skuadrave te femrat.
Te femrat janë regjistruar vetëm 5 skuadra në kampionatin e të rriturave. Ky është numri më i vogël i ekipeve të regjistruara ndonjëherë në basketbollin shqiptar, që me kaq pak skuadra do të ishte më mirë të mos zhvillohej më.
Kjo konfirmon edhe një herë krizën e gjatë që po kalon basketbolli i femrave, pasi edhe te skuadrat ekzistuese mbizotërojnë lojtaret e huaja. 5 skuadrat që do të luajnë për titullin janë Flamurtari, Tirana, Partizani, Studenti e Vllaznia.
Janë larguar nga kampionati ekipet e Elbasanit dhe Teuta Basket, ndërkohë që prej vitesh mungojnë ekipe me emër si Skënderbeu, Përmeti, Luftëtari, Burreli e Apolonia, ndërkohë që klubet private tashmë i përkasin një kohe tjetër.
Te meshkujt, bie në sy ndryshimi i strukturës së kampionatit. FSHB ka vendosur t’i grupojë të 12 skuadrat pjesëmarrëse në një grup të vetëm, duke mos vijuar me formatin e vjetshëm 6 në Superligë dhe 6 në Kategorinë e Parë.
Kjo e bën të pavlefshme garën për një vend në play out, ndërkohë që kjo s’është hera e parë që struktura ndryshon te meshkujt. Edhe pse u përfol për një rritje të numrit te meshkujt kjo gjë nuk ndodhi.
Ndërkohë, Federata e Basketbollit ka hedhur shortin për kampionatin, që pritet të nisë javën e parë të tetorit. Më herët do të luhet Superkupa, ku për meshkuj është sfida Besëlidhja-Vllaznia (29 shtator) e për femra ajo mes Flamurtarit e Tiranës (29 shtator).
Superliga-Meshkuj, java e parë
Kamza Basket – Teuta
Elbasani – Pogradeci
Vllaznia – Flamurtari
Tirana – Fieri Basket
Skënderbeu – Apolonia
Partizani – Besëlidhja
Kategoria e Parë-Femra, java e parë
Tirana – Partizani
Flamurtari – Studenti
Vllaznia (pushim)