Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), në bashkëpunim me FIBA Europe, do të jetë nikoqire e FIBA Europe U14 Get-Together, një prej ngjarjeve më prestigjioze të basketbollit evropian, që do të mbahet në Prishtinë nga 17 deri më 19 tetor 2025.
Kjo ngjarje e përvitshme e FIBA Europe synon edukimin e trajnerëve të rinj dhe fuqizimin e gjeneratave të ardhshme të basketbollistëve, duke e vendosur Kosovën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare sportive.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë rreth 80 trajnerë nga i gjithë kontinenti, të cilët do të ndjekin ligjërata dhe trajnime nga ekspertë të njohur të basketbollit evropian.
Ndërkaq, në ditën e dytë të këtij eventi, më 18 tetor 2025, eventi do të jetë i hapur për trajnerët nga Kosova të gjeneratave të reja.