Anduena Rifati: Liga komunale - e domosdoshme në basketbollin femëror

Basketboll

Anduena Rifati: Liga komunale - e domosdoshme në basketbollin femëror

Nga: Kemajl Goca Më: 30 tetor 2025 Në ora: 16:20
Anduena Rifati

Basketbolli femëror në Kosovë ka rritje deri diku në vitet e fundit.

Sipas ish-basketbollistes së njohur Anduena Rifati, duhet që të investohet sa më shumë edhe në basketbollistet e talentuara vendore dhe jo vetëm në ato të jashtme.

Rifati, ish basketbolliste e spikatur e Bashkimit të Prizrenit, i takon gjeneratës së sakrificës dhe të pasluftës, prej pikëshënuesve më të mira në vendin tonë, tha se duhet punë sa më shumë me gjeneratat e reja. 

Image

Anduena Rifati

 E njohur si “13-shi” i frikshëm për rivalet, tha se ka rritje basketbolli femëror në vitet e fundit. 

“Basketbolli femëror ka rritje në vitet e fundit, ka edhe shumë lojtare nga jashtë. Investohet më shumë.

Besoj se me kalimin e kohës do të kemi edhe lojtare vendore që do të jenë një siguri e madhe për të ardhmen, jo vetëm për klubet por edhe si bazë e fortë për kombëtare.

Ka talente në shumë qytete, vetëm duhet punë dhe angazhim në zbulimin dhe formimin e tyre”, – u shpreh Anduena për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Rifati kujtoi se basketbolli femëror në Kosovë ka pasur gjithmonë emra të shquar që kanë lënë gjurmë në historinë sportive të vendit.

“Sa kam shfletuar histori, basketbolli femëror ka traditë në vendin tonë.

Ndër vite ka pasur emra të spikatur që kanë lënë gjurmë.

Edhe tani po shoh se është duke iu kushtuar vëmendje në disa klube gjeneratave të reja, ku me kalimin e kohës do të vijnë në shprehje ato”, theksoi ajo.

Në fund, ajo dha një porosi të qartë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në zhvillimin e basketbollit të vajzave: “Punoni e investoni në gjeneratat e reja.

Kemi shumë vajza shtatgjata e të talentuara.

Duhet sa më shumë të hulumtohet jo vetëm në shkollat fillore, por edhe në ato të mesme, për të zbuluar talente e për t’i përfshirë në klube.

Pse të mos kemi në të ardhmen edhe liga komunale nëpër shkollat fillore e të mesme, ku mund të zbulohen shumë talente të këtij sporti!

Edhe shkollat janë bazë e fortë që mund të ndihmojnë shumë, vetëm duhet bashkëpunim i ngushtë me arsimtarët dhe profesorët për të identifikuar vajzat me potencial”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat