Giannis Antetokounmpo thyen rekordin e Kareem Abdul-Jabbar

Basketboll

Giannis Antetokounmpo thyen rekordin e Kareem Abdul-Jabbar

Më: 3 janar 2026 Në ora: 15:31
Pamje nga ndeshja

Giannis Antetokounmpo ishte sërish vendimtar në NBA, duke i dhënë fitoren Milwaukee Bucks në një ndeshje dramatike ndaj Charlotte Hornets, të mbyllur me rezultatin 122–121 në orët e para të së shtunës. ‘

Ylli’ grek vulosi suksesin me një zhytje spektakolare 4.7 sekonda nga fundi, pas asistit të Kevin Porter Jr., duke çuar tifozët në këmbë dhe duke konfirmuar një tjetër mbrëmje historike për karrierën e tij.

Antetokounmpo e mbylli takimin me 30 pikë, 10 kërcime dhe 5 asistime, duke regjistruar ndeshjen e tij të 158-të në NBA me këto shifra minimale. Me këtë paraqitje, ai theu rekordin e mbajtur nga legjendat Oscar Robertson dhe Kareem Abdul-Jabbar, të cilët e kishin arritur këtë statistikë nga 157 herë.

Sekondat e fundit të ndeshjes ishin tejet emocionuese, me epërsinë që ndryshoi tri herë në 10.5 sekondat përfundimtare. Fillimisht, Kyle Kuzma realizoi një trepikësh për Bucks, duke i kaluar ata në avantazh 120–118. Menjëherë pas kësaj, Miles Bridges reagoi për Hornets, duke shënuar dhe fituar faullin, ndërsa realizoi edhe gjuajtjen shtesë për 121–120. Kuzma u përjashtua pas këtij episodi.

Pas një pushimi taktik, Bucks organizuan aksionin final: Porter Jr. dhe Antetokounmpo shkëmbyen topin, përpara se Giannis të sulmonte koshin dhe të përfundonte me sukses një kosh vendimtar.

Hornets patën edhe një shans të fundit, por gjuajtja e Brandon Miller nuk gjeti koshin.

Për Hornets realizuan më shumë pikë Kon Knueppel (26) dhe Miles Bridges (25), ndërsa për Bucks, përveç Giannis-it, u dalluan Ryan Rollins me 29 pikë dhe Bobby Portis me 20. Një tjetër fitore e madhe për Bucks, e udhëhequr nga një Giannis historik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat