Kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça e Mitrovicës, është gati për ndeshjen e Kupës së Kosovës në basketboll. Mitrovicasit për një javë qënduan në Gjevgjeli, ku mbushën bateritë për edicionin pranveror.
“Pas 7 ditësh qëndrimi në Gjevgjeli, nesër kthehemi në Mitrovicë, duke mbyllur një fazë të rëndësishme përgatitore jashtë vendit. Kjo periudhë ka shërbyer për të forcuar ritmin e punës dhe për të përgatitur ekipin për sfidat që na presin.
Pas kthimit, stërvitjet do të vazhdojnë të hënën dhe të martën në palestrën “Minatori”, ku do të bëhen përgatitjet e fundit para ndeshjes. Të mërkurën, në Mitrovicë, zhvillohet ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës kundër Golden Eagle Yllit, me fillim nga ora 18:45.
Jemi gati për sfidat që na presin dhe besojmë se, së bashku, do t’ia dalim’, thuhet në njoftimin e KB Trepçës.