Përzgjedhësi i kombëtares së Sllovakisë në basketboll, Oliver Vidin, ka publikuar listën me 15 lojtarë për ndeshjet e parakualifikimeve të Grupit C për Kampionatin Evropian 2029, ku Sllovakia do të përballet me Kosovën dhe Shqipërinë.
Kosova do të ndeshet me Sllovakinë më 27 shkurt në palestrën e sportit në Prizren (19.00).
“Për herë të parë në dispozicion pritet të jetë përforcimi i natyralizuar, David DeJulius, ndërsa rikthehet edhe Vladimír Brodziansky pas një pauze.
Sllovakia e nisi fazën e parë të para-kualifikimeve me fitore ndaj Shqipërisë me rezultat 73:63.
Dy fitore të tjera në fund të shkurtit dhe fillim të marsit do ta afronin skuadrën e Vidinit drejt fazës së radhës.
Në fazën tjetër avancojnë fituesit e grupeve dhe ekipi më i mirë nga vendet e dyta”, shkruan mediumi sportiv sllovak “Sport”.
“Nuk mund të presim asgjë tjetër përveç fitoreve. Do të shkojmë për to dhe besojmë se do t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Do të japim maksimumin.
Nëse e bëjmë këtë, atëherë jemi 90 për qind në raundin tjetër të kualifikimeve”, ka thënë Vidin.
19-vjeçari Martin Pospishil nga Komarno pritet të debutojë me fanellën e Sllovakisë, ndërsa në listën prej 15 lojtarësh është përfshirë edhe DeJulius.
Sa i përket Brodzianskyt, trajneri ka bërë të ditur se ekziston mundësia reale për rikthimin e tij.
“Brodziansky është lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren tonë.
Nuk pati mundësi të na ndihmojë gjatë verës.
Tani mundësia është reale.
Trajneri i klubit të tij më ka premtuar se do ta lejojë të vijë, por vendimin përfundimtar duhet ta marrë drejtuesit e klubit.
Besoj se Vlado Brodziansky do të jetë me ne. I ndjek të gjitha ekipet kombëtare dhe kushdo që ka marrë ftesë e ka merituar. Jo të gjithë të rinjtë kanë hapësirë në ekipet e para të klubeve, por kanë të ardhme të madhe.
Të paktën dy prej tyre do të jenë në listën përfundimtare prej 12 lojtarësh për ndeshje. Këta djem janë e ardhmja e basketbollit sllovak”, ka deklaruar përzgjedhësi.
Lista e lojtarëve
Shimon Krajçoviç (Giessen 46ers/Gjermania), David DeJulius (UCAM Murcia - Spanja.), Milan Szaba, Tomash Pavelka, David Abrham (BC Slovan Bratisllava), Marosh Golian (Inter SB Bratisllava), Dalibor Hlivak, David Novak (BC Prievidza), Peter Kovaçik (MBK Baník Handlova), Marek Dolezhaj (Armann Reykjavík/Islanda), Thomas Stanko (ERA Basketball Nymburk/Çekia), Samuel Volarik, Martin Pospíshil (BC Komarno), Lukash Bolek (Nitra Blue Wings), Vladimír Brodziansky (Fu-ťien Sturgeons/Kina).