Olympiacos nga Greqia i dha fund pritjes 13-vjeçare dhe u shpall kampion i Evropës për herë të katërt në histori, pasi mposhti Real Madrid Baloncesto me rezultat 92:85 (19:26, 27:18, 15:21, 28”20).në finalen e EuroLeague në basketboll, të zhvilluar në Athinë.
Pavarësisht paraqitjes së shkëlqyeshme të Mario Hezonja, Real Madridi nuk arriti të rrëmbejë trofeun europian.
Basketbollisti kroat realizoi 19 pikë, shtoi pesë asistime, katër kërcime dhe katër topa të vjedhur, duke qenë një nga më të mirët te madrilenët.
Megjithatë, në momentet vendimtare ai humbi dy tentativa për tri pikë që mund ta rikthenin skuadrën në lojë.
Olympiacos – Real 92:85
Olympiacos: Walkup (10), Vezenkov (12), Papanikolaou, Dorsey (1), Milutinov (8) , Ward (7), Peters (16), Joseph (5), Hall (4), McKissic (5), Jones (4), Fournier (20).
Real Madrid: Lyles (24), Abalde (9), Campazzo (5), Okeke, Hezonja (19), Kramer, Procida, Maledon (8), Almansa, Deck (4), Llull (3), Feliz (13).
Shënuesi më i mirë i Realit ishte Trey Lyles me 24 pikë, por në pjesën e dytë kontribuoi vetëm me tri pikë. Ndërkohë, Andrés Feliz e mbylli takimin me 13 pikë.
Nga ana tjetër, Olympiacosin drejt titullit e udhëhoqën Evan Fournier me 20 pikë dhe katër asistime, si dhe Alec Peters me 16 pikë e shtatë kërcime.
Reali e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike dhe që në minutën e katërt krijoi epërsi 15:3.
Madrilenët e mbyllën çerekun e parë me avantazh prej shtatë pikësh dhe në fillim të periudhës së dytë arritën sërish diferencë dyshifrore.
Megjithatë, skuadra nga Pireu reagoi fuqishëm, përmbysi rezultatin dhe shkoi në pushim me epërsi minimale 46:44.
Skuadra e drejtuar nga Sergio Scariolo reagoi në çerekun e tretë dhe hyri në dhjetë minutat e fundit me avantazh prej katër pikësh, duke paralajmëruar një fund dramatik.
Në minutat e fundit, Hezonja realizoi një treshe të rëndësishme për barazimin 80:80, por më pas humbi dy gjuajtje vendimtare kur Reali ishte në disavantazh. Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar pas pikëve të lira të Fournier për 88:80, madrilenët pothuajse realizuan një rikthim të pabesueshëm.
Falë topave të fituar dhe kërcimeve në sulm pas gjuajtjeve të lira të humbura me qëllim, Reali pati një mundësi të artë për të barazuar në 88:85. Por Feliz humbi tentativën për tri pikë 13 sekonda para fundit, ndërsa Peters vulosi triumfin me katër gjuajtje të sakta nga vija e lirë për rezultatin përfundimtar 92:85.
Për Real Madridin kjo ishte finalja e 22-të në historinë e Euroligës apo Kupës së Kampionëve, ku tani numëron 11 tituj dhe 11 humbje në ndeshjet për trofe. Olympiacosi, ndërkohë, fitoi titullin e katërt evropian në finalen e tij të dhjetë.