Prishtina do të jetë për herë të tretë nikoqire e kualifikimeve për Evropianin FIBA 3X3.
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, tregoi se për procedurat e organizimit dhe si po shkojnë punët deri më tani.
“Federata e Basketbollit të Kosovës për vitin e tretë radhazi, organizon këtë ngjarje, të kualifikimeve për FIBA 3×3 Euro Cup e cila do të mbahet më vonë në shtator në Belgjikë.
Për neve është e rëndësishme që të gjitha përgatitjet që i kemi pas i kemi realizua me sukses, sot dhe nesër janë ato përfundimtare, kur bëhet edhe inspektimi i fushës 3×3 në amfiteatrin në sheshin ‘Zahir Pajaziti'”, ka thënë Dushku në emisionin Ora 7.
Ajo po ashtu bëri të ditur se tanimë ekipet, si dhe zyrtarët e FIBA-s, kanë filluar të vijnë në kryeqytet ndërsa në ditët në vazhdim qytetarët pritet të vijnë në kryeqytet të përkrahin ekipin e Kosovës në kategoritë e vajzave dhe djemve.