Kroacia tubohet dhe nis rrugëtimin drejt Botërorit

Basketboll

Kroacia tubohet dhe nis rrugëtimin drejt Botërorit

Nga: B.S. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 11:45
Pamje nga një ndeshje

Kroacia në basketboll u mblodh të hënën në mbrëmje dhe zhvilloi stërvitjen e parë në prag të vazhdimit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027, ku e presin ndeshjet kundër Polonisë dhe Holandës.

Në stërvitjen e parë, përzgjedhësi Tomislav Mijatoviq kishte në dispozicion 14 basketbollistë nga lista e publikuar.

Kapiteni Dario Shariq do t’i bashkohet kombëtares drejtpërdrejt në Poloni, në bazë të marrëveshjes me përzgjedhësin.

Në grumbullim është edhe një emër i ri në listën e përfaqësueses, Lovro Mazalin. Ndërkohë, Ivan Vranesh nuk arriti t’i përgjigjej ftesës për këtë grumbullim për shkak të një lëndimi, ndaj në vend të tij përzgjedhësi ka ftuar Antonio Sikiriqin.

"Zhvilluam një stërvitje të mirë së bashku. Me ne janë edhe disa fytyra të reja. Këtu është Lovro Mazalin, i cili me paraqitjet e tij e ka merituar ftesën në kombëtare.

Për shkak të lëndimit të pësuar, me ne nuk është Ivan Vranesh, në vend të të cilit kemi ftuar Antonio Sikiriqin. Ai nuk është emër i ri në fanellën e përfaqësueses, prandaj nuk ka nevojë të flasim më shumë për të", deklaroi Mijatoviq.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në ditët në vijim do t'i bashkohen ekipit Toni Nakiq dhe kapiteni Dario Shariq.

Kroacia e pret fundin e muajit nëntor me bilancin prej shtatë fitoresh dhe një humbjeje (7:1), si dhe me mundësinë që qysh të premten në Poloni të sigurojë pjesëmarrjen e parë në Kampionatin Botëror që nga viti 2014.

Nga Grupi K, tri kombëtaret e para do të sigurojnë kualifikimin në fazën finale të Kampionatit Botëror.

Ndeshja kundër Polonisë do të zhvillohet të premten, më 27 nëntor, nga ora 20:45, në palestrën “PreZero Arena” në Gliwice.

Tri ditë më vonë, të hënën, më 30 nëntor, Kroacia do të jetë nikoqire e Holandës. Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 20:00, në Qendrën e Basketbollit “Drazhen Petroviq”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat