Nik Xhelilaj braktis Gjermaninë dhe kthehet në Stamboll, dyshimet se i është rikthyer lidhjes së fshehtë me aktoren e famshme turke

Bota e Yjeve

Nik Xhelilaj braktis Gjermaninë dhe kthehet në Stamboll, dyshimet se i është rikthyer lidhjes së fshehtë me aktoren e famshme turke

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 23:20
Nik Xhelilaj

Aktori i njohur, Nik Xhelilaj, ka lënë Gjermaninë duke u rikthyer sërish në Stamboll të Turqisë, kryeqyteti ku mori famë me pjesëmarrjen në disa seriale turke.

Nik poston shpesh foto nga destinacionet më të bukura të Stambollit, ndërkohë që ndjekësit dyshojnë se fotografja është aktorja turke, Gokçe Bahadir, me të cilën pati një lidhje 8- vjeçare, por që u tha se u ndanë vjeshtën e kaluar.

Por tashmë po flitet se ribashkimi është bërë shkas që Niku të kthehet në Stamboll dhe të vazhdojë lidgjen me aktoren që njohu gati një dekadë më parë në xhirimet e një filmi, po aq vite sa mund të kenë vazhduar në fshehtësi. Por, ndërkohë që nisën xhirimet për serialin “Uyanis Buyuk Selçuku”, u fol edhe për ndarje.

Sa i përket karrierës, ky projekt ishte një hap i madh i artistit, që prej vitesh është larguar nga Shqipëria për të ndjekur karrierën fillimisht në Turqi e më pas në Gjermani. Xhelilaj luan përkrah Hatice Sendil, e njohur si Elif nga seriali “Një pjesë e imja”, Leyla Lydia Tugutlu e njohur si Xhandan nga seriali “Bija ime”, po ashtu Bugra Gulsoy i njohur nga i njëjti serial, Ekin Koç i njohur nga seriali “Kosem” e shumë të tjerë.

Kujtojmë që Xhelilaj ka qenë pjesë e serialeve “Qyteti i humbur” dhe “Kryeqyteti Abdylhamid”, që janë transmetuar në Shqipëri. Pavarësisht karrierës jashtë vendit, Xhelilaj viziton Shqipërinë shumë shpesh, madje ndan dhe në profilin e “Instagramit” foto nga udhëtimet e tij. Por ndërkohë që në aspektin profesional ka arritur aty ku ka dëshiruar me rolin e ri në serialin ku luajnë BIG-ët e telenovelave turke, lind pyetja se ç’po ndodh me jetën private të aktorit të pashëm?

Sipas të njohurve të tij, Niku mund t’i jetë rikthyer lidhjes, për të cilën folën mediat turke në 2019-ën. Historia në fjalë me aktoren turke, Gokçe Bahadir, nisi 9 vite më parë në xhirimet e një filmi dhe po për kaq shumë vite vazhdoi deri në fshehtësi për t’u ndarë vjeshtën e kaluar. Por me fillimin e vitit, ata janë afruar sërish për ta vazhduar aty ku e kanë lënë.

DETAJET E ROMANCËS 8-VJEÇARE TE NIKUT ME AKTOREN DY VITE MË TË MADHE

Aktori Nik Xhelilaj, i kthyer në një nga figurat më të dashura në Turqi, ka luajtur në disa produksione turke, ndër ta dhe në filmin “Kayip Sehir” në vitin 2012, krah aktores tashmë 40-vjeçare, Gokçe Bahadir, me të cilën ka një romancë të gjatë. Sipas mediave turke dyshohej se në të njëjtën periudhë kur çifti punonin krah njëri-tjetrit, kanë qenë në një lidhje edhe në jetën reale.

Kujtojmë se aktorja e njohur ka qenë e martuar për 1 vit me Ali Sunalm dhe u divorcua prej tij pikërisht në vitin 2012, ndërsa Niku është përpjekur ta mbante jetën private të izoluar nga mediat. Por distanca mes tyre (për faktin se Niku shpesh udhëton drejt Berlinit) bëri që lidhja e tyre të mos funksiononte, por tani e kanë gjetur zgjidhjen.

Pas 7 vitesh spekulime për një lidhje të mundshme të Xhelilajt dhe Bahadir, gazetarët pohuan para dy vitesh se ata ishin në një lidhje që u përpoqën ta mbanin sekret. Në kohën që u zbulua historia, Gokçe Bahadir luante në serialin më të fundit që po transmetohej në ekranin e “Tv Klan”, në rolin e Ojas. Ajo është dy vite më e madhe se Nik dhe ka një karrierë të gjatë si aktore serialesh televizive dhe kinemaje, që nga viti 2003.

Gökçe është më e njohur për performancën e saj si Leyla Tekin në serialin “Yaprak Dökümü”, ndërkohë që është konsideruar një yll për disa role të tjera në vazhdim. Ndërkohë, Nik ishte figura e re që iu bashkua kastës së lartë të kinemasë turke, duke u bërë dhe mjaft i lakmuar për talentin dhe pamjen e tij karizmatike.

Një nga projektet ku ai ka marrë pjesë është “Qyteti i humbur”, një telenovelë që transmetohej nga “Tv Klan”. “Qyteti i humbur” tregonte për historinë e banorëve të një pallati 6- katësh, që përpiqen të kapin ritmin e jetës urbane. Banorët e lagjes së varfër të Stambollit duhet të heqin dorë nga ëndrrat dhe shpresat e tyre për t’u përshtatur me metropolin e madh, njësoj si Nikut i duhej të përshtatej me Stambollin e kinemasë. E gjatë këtyre viteve, Nik ka bërë karrierë mes Turqisë dhe Gjermanisë.

Për këtë arsye, revista “Glamour Germany”, bashkë me një set fotosh artistike bardhezi, shkruante për aktorin, ku mes rreshtash thuhet: “Nik Xhelilaj është bërë i njohur në 2016-ën për publikun gjerman gjatë xhirimeve të trilogjisë ‘Ëinnetou’. Ai ka rrëfyer se profesori i tij në kolegj i ka mësuar se për t’u bërë i njohur në Gjermani për publikun vendës, duhet të punosh shumë fort. Sipas tij, publiku duhet të ketë respekt për ty dhe më pas ai do të të adhurojë.

Ky është mentaliteti që kanë gjermanët dhe Nik e pëlqen shumë, pasi këtu nuk bëhesh i njohur lehtë”, shkruan “Glamour Germany”. Natyrisht, për një djalë kaq sharmant nuk mund të lihej mënjanë çështja e femrave. Në shkrimin e “Glamour Germany” (një revistë e lançuar në vitin 2001, ku në fokus ka të bukurën dhe modën) është folur edhe për pamjen e aktorit, ku Nik është cilësuar edhe si një rrëmbyes i zemrave të femrave.

38-vjeçari Nik Xhelilaj ka luajtur në disa filma në Shqipëri, ndërsa së fundmi ka marrë pjesë në serialin historik turk, me titull “Kryeqyteti”. Sipas mediave turke, stili i aktorit nga Tirana po shndërrohet në një stil unik që po e ndjekin djemtë turq me shije. Nik Xhelilaj shquhet për natyrën diskrete në publik, ndaj pyetjet që i bëjnë shpesh ndjekësit janë nëse është i dashuruar, por ai preferon të mos japë përgjigje.

Në “Instagramin” e tij poston foto vetëm ose me kolegë, duke ruajtur kështu një profil misterioz. Fama, pamja e kuruar dhe imazhi e bëjnë të duket gjithmonë e më shumë tërheqës për femrat, të cilat nuk reshtin duke e komplimentuar. Le të presim nëse në ndonjë intervistë ai do të rrëfejë detaje në lidhje me historinë e gjatë me aktoren turke.

Ndërkohë, i ftuar në “Top Albania Radio”, Nik Xhelilaj ka treguar së fundi shumë detaje në lidhje me jetën e tij. Xhelilaj zbuloi se në moshën 14- vjeçare ka bërë një shkollë ushtarake në Turqi, me detyrim nga prindërit. Për këtë arsye, ai vendosi të mos e vazhdonte dhe të arratisej prej saj. Aktori rrëfeu se kjo gjë i kushtoi shtrenjtë, pasi i ati nuk i foli për gjashtë muaj me radhë.

“Kam qenë 14 vjeç kur shkova në Turqi, kujtoja se kishte qenë ideja vetëm e babit që të shkoja atje, por tani në pandemi kur isha në Shqipëri në mars, para se të ikja më thotë mami: ‘jo jo… unë aplikova emrin tënd…’ Edhe që të më vinte nga mami kjo surprizë nuk e dija, paska qenë mami fajtore… Në ato vite më kujtohet rruga që bëja nga ‘Pallati i Kulturës’ deri në Stamboll me autobus dhe në ’97-‘98 unë e lashë shkollën. Vetëm 4 muaj qëndrova dhe u arratisa. E kisha të vështirë se isha i vetmi që vija nga Tirana. Nja 6 muaj nuk më ka folur babai. Ai i shkreti nja tre muaj rresht blinte biletën që të nisesha të hënën për Stamboll”, rrëfeu Xhelilaj.

Ndërsa në lidhje me karrierën, Niku zbuloi se së shpejti do të shfaqet me një rol episodik në një serial gjerman, i cili do të dalë në muajin mars në “Amazon Prime”.

“Projekti më i ri do të jetë një serial gjerman, do të jetë një rol episodik. Në këtë projekt nuk do të kem rolin e protagonistit, por do të jem në çdo seri. Seriali del në mars, në ‘Amazon Prime’”, tregoi aktori shqiptar.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat