Aktorja e njohur Filipina Leroy-Beaulieu, e cila luan shefen e hekurt Sylvie në serialin hit Emily in Paris, ka reaguar së fundmi ndaj kritikave të forta që shfaqja ka marrë nga publiku francez – dhe komenti i saj nuk ka kaluar pa u vënë re.
Gjatë një interviste të fundit, Leroy-Beaulieu pranoi se i është lutur shikuesve francezë “që të kenë sens humori”, pasi shumë prej tyre e kanë quajtur serialin si paraqitje stereotipe dhe të ekzagjeruar të jetës në Paris.
“Ata janë shumë snobistë,” u shpreh aktorja me sinqeritet, duke shtuar se francezët shpesh e shikojnë serialin me një sy tepër kritik dhe se harrojnë se bëhet fjalë për një komedi të lehtë, e destinuar për t’u argëtuar, jo për të dhënë një pasqyrë autentike të kulturës së tyre.
Leroy-Beaulieu theksoi se seriali ka arritur sukses global pikërisht falë tonit të tij të çlirët dhe atmosferës glamuroze, ndërsa reagimet e ashpra të publikut vendas nuk e kanë zbehur aspak popullaritetin e tij.
Aktualisht, Emily in Paris vijon të jetë një nga prodhimet më të komentuara të Netflix, dhe deklaratat e aktores pritet të nxisin sërish debat mbi pritshmëritë dhe ndjeshmërinë kulturore në ekran.