Kim Kardashian rikthehet në tapetin e kuq të LACMA Gala, shkëlqen me fustanin elegant me temina nga Gucci
Kim Kardashian ka tërhequr sërish vëmendjen në një prej mbrëmjeve më të rëndësishme të artit dhe modës në Los Angeles, duke u shfaqur në edicionin e 15-të të LACMA Art+Film Gala me një paraqitje që nuk kaloi pa u vënë re.
Ylli amerikan zgjodhi një fustan të gjatë nga shtëpia e famshme e modës Gucci, në ngjyrë bordo dhe të mbuluar me temina shkëlqyese, duke kombinuar elegancën me një stil mjaft provokues.
Fustani kishte mëngë të gjata dhe jakë të lartë, ndërsa pjesët e hapura anash dhe pjesa e ekspozuar e shpinës i jepnin veshjes një pamje më të guximshme. Kardashian e kompletoi paraqitjen me flokë të gjatë, grim të theksuar në nuanca të errëta dhe manikyr në të njëjtën gamë ngjyrash.
E njohur për zgjedhjet e saj të guximshme në tapetin e kuq, Kim edhe këtë herë dëshmoi se di të jetë në qendër të vëmendjes, duke e kthyer paraqitjen e saj në një prej momenteve më të komentuara të mbrëmjes.
LACMA Art+Film Gala, e organizuar në Muzeun e Artit të Qarkut të Los Angelesit, mbledh çdo vit emra të njohur nga bota e filmit, muzikës, artit dhe modës. Në këtë edicion, mbrëmja nderoi artisten Vija Celmins dhe regjisorin Denis Villeneuve, ndërsa organizimi u bashkëdrejtua nga Leonardo DiCaprio dhe Eva Chow.
Kim Kardashian është një nga emrat që ka qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje ndër vite, duke e konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një prej figurave më të komentuara të modës dhe spektaklit.