Pirlo: Kur fiton çdo gjë është në rregull

Futboll

Pirlo: Kur fiton çdo gjë është në rregull

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 11:36
Pirlo: Kur fiton çdo gjë është në rregull

Starti jo fort bindës i Andrea Pirlos si trajner i Juventusit, me disa rezultate zhgënjyese në kampionat, ka bërë që pozitat e ish kampionit të botës me Italinë, të lëkunden disi gjatë këtyre ditëve.

Së fundi mediat kanë folur edhe për paqartësi taktike nga ana e Pirlos, që këtë sezon drejton për herë të parë një skuadër futbolli dhe madje edhe licencën e mori vetëm pasi ishte ulur në pankinën e Juventusit.

Megjithatë vetë Pirlo ka hedhur poshtë të gjithë këto zëra, teksa theksoi se skuadra e ndjek njësoj si ditën e parë dhe se e ka të qartë se çfarë duhet të ndryshojë për të dalë nga ky moment i vështirë në aspektin e rezultateve.

“Kur fiton çdo gjë është në rregull, por puna komplikohet kur barazon dhe kur humb, ndaj shpesh dalin zëra të pavërtetë, që mund të krijojnë destabilizim të mëtejshëm të ekipit. Megjithatë mund të them se skuadra më ndjek plotësisht, njësoj si ditën e parë dhe e kam të qartë çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga ky moment”, u shpreh Pirlo.

Tekniku i bardhezinjve nuk i ka kursyer komplimentet për mesfushorin uellsian Aron Ramsey, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe disa këshilla publike për Paulo Dybalën, i cili nuk po shkëlqen kohët e fundit.

“Nuk e dija që Ramsey është kaq i zoti, por për fat të keq e kemi pasur vetëm pak ndeshje për shkak dëmtimesh,

Tani po e rikuperojmë gradualisht dhe shpresoj ta kemi në dispozicion deri në fund të sezonit. Dybala është një lojtar që luan pas sulmuesit në rolin e tij natyral, por për të prekur më shumë topa, vjen shpesh në gjysmëfushën tonë. I kam thënë që të luajë më shumë në hapësirat që na krijohen në sulm dhe të mos shpenzojë energji duke ardhur dhe bërë driblime në gjysmëfushën tonë, pasi nuk na jep asnjë avantazh, përveç lodhjes së tij”, deklaroi trajneri Pirlo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat