Ish-ndihmësi i Mourinhos godet Pogbanë

Futboll

Ish-ndihmësi i Mourinhos godet Pogbanë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 11:38
Ish-ndihmësi i Mourinhos godet Pogbanë

Në Dhjetor 2018, Jose Mourinho u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester United. Portugezi u largua nga “Djajtë e Kuq” pas dy vitesh e gjysmë pasi kishte fituar Europa League-n, Community Shield dhe Kupën e Ligës, pa mundur të festojë titullin shumë të lakmuar të Premier League-s. Mourinho la pas një situatë që ndihmësi i tij i atëhershëm, Ricardo Formosinho, e etiketon “atmosferë tensioni”, të cilën ia faturon Paul Pogbasë, edhe pse nuk ia përmend emrin.

“Nuk do të përmend emra, por kemi pasur shumë probleme, njëri prej tyre ishin lojtarët që shkuan me pushime si futbollistë normale dhe mbërritën si kampionë të botës … Ishte shumë e vështirë të jetoje në këtë klimë tensioni”.

Nuk është e vështirë për ta kuptuar që Formosinho i referohet Pogbasë, i cili kishte ngritur Kupën e Botës në korrik 2018 me Francën. Fillimi i dobët atij sezoni u bë shkak për shkarkimin e Mourinhos. Duhet thënë se nën drejtimin e portugezit mesfushori francez asnjëherë nuk shfaqi nivelin që kishte patur tek Juventusi. Përveç kësaj, Formosinho tregon shkaqe të tjera, sikurse ishte humbja e një reference si Zlatan Ibrahimovic.

“Në vitin e fundit kemi humbur një njeri të shkëlqyeshëm dhe një lider të dhomës së zhveshjes: Zlatan Ibrahimovicin. Ai ishte një referencë e pazëvendësueshme. Me të vërtetë na mungon shumë.”

Ecurinë e përkohshme pozitive të Manchester United, pas largimit të Mourinhos, Formosinho e shpjegon në këtë mënyrë.

“Në fillim, po, pati një ecuri shumë të mirë. Është normale, si pasojë e ndryshimit të trajnerit. Lojtarët e kuptuan se ishte një frymë e freskët, ata donin të kënaqnin trajnerin e ri, por nuk u desh shumë për të vërejtur se problemi ishte më i komplikuar sesa ndryshimi i trajnerit. E vërteta është se ekipi nuk ishte më i mirë se ai që lamë. Ata ende nuk po fitojnë.”

Formosinho e shoqëroi Mourinho sezonin e kaluar te Tottenham, por u largua nga klubi londinez gjatë verës./ss.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat