Martini: Duhet t’i shfrytëzojmë më mirë rastet

Futboll

Martini: Duhet t’i shfrytëzojmë më mirë rastet

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 18:02
Martini: Duhet t’i shfrytëzojmë më mirë rastet

Teuta vazhdon të mos fitojë në Kategorinë Superiore duke regjistruar barazime të njëpasnjëshme, që e kanë distancuar nga kreu. Ndeshja e radhës ndaj Laçit është një sfidë shumë delikate për “djemtë e detit” të cilët do të kërkojnë ta fitojnë. Problemi kryesor te Teuta në këto momente është sulmi që nuk shkon dot te goli, edhe pse trajneri Edi Martini nënvizon se nuk është vetëm çështje sulmi.

“Nuk mendoj se ishte rezultat i drejtë me Partizanin. Ne duhet ta fitonim ndeshjen, patëm raste. Jo se ata nuk patën raste, por ne luajtëm më mirë, e mbajtëm më shumë topin, patëm raste më shumë, për të mos harruar edhe penalltinë. Duhet ta fitonim ndeshjen.

Problemi që nuk po fitojmë ndoshta është te fakti që nuk po munden të tjerët të na mundin. Po e shoh gotën gjysmë plot. Me të vërtetë nuk po fitojmë, por as nuk po na mundin dot, as me rezultate, as me lojë. Kështu që shpresoj që kjo gjë ta ndryshojë”.

“Nuk besoj se është vetëm çështje e sulmit, është thjesht çështje fati, momenti. Jam i sigurt që fitorja do të vijë, madje me lojëra më bindëse. 3 gola në shtatë ndeshje? Janë pak, normalisht. Edhe kur kam qenë futbollist më ka ndodhur diçka e tillë, madje gjatë karrierës disa herë më ka ndodhur. Është moment “jo”, që mendojmë se do ta kalojmë shpejt”.

“Laçi? Futemi në fushën e lojës të fitojmë, si në çdo ndeshje. Normalisht e dimë se kemi përballë një kundërshtar të fortë, por detyrimi ynë është të marrin tre pikët. Jemi në formë të mirë dhe me pak fat mendoj se mund ta fitojmë ndeshjen. Nuk pres asgjë tjetër, veçse të bëjmë më shumë vertikalizime, të shkojmë te porta kundërshtarë e të shënojmë për të marrë tre pikët”, u shpreh Martini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat