Koeman: Më pyesni shpesh për Messin

Futboll

Koeman: Më pyesni shpesh për Messin

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 11:14
Koeman: Më pyesni shpesh për Messin

Barcelona kishte provuar një rreshtim ndryshe dje ndaj Valladolid dhe loja e rezultati 0:3 i dhanë të drejtë trajnerit holandez Ronald Koeman, i cili në përfundim të ndeshjes shpjegoi edhe arsyet e ndryshimit të skemës.

“Donim të përmirësonim diçka në mbrojtje, duke qenë se kemi edhe mungesa të shumta në atë repart, ndaj vendosëm të provojmë një rreshtim ndryshe. Pashë një skuadër të përqendruar maksimalisht, të vendosur mirë në fushë dhe të aftë për të krijuar mundësi të shumta shënimi”, u shpreh tekniku holandez, transmeton Super Sport.

Lionel Messi ishte sërish protagonist dje me asistin për golin e parë dhe shënimin e golit të tretë, që mbylli edhe llogaritë e ndeshjes, ndërsa Koeman përsëriti sërish në fund të ndeshjes se argjentinasi është i lumtur në “Camp Nou”.

“Më pyesni shpesh për Messin dhe unë vijoj t’u them se e shoh shumë të lumtur. E shoh atë çdo ditë që vihet në dispozicion të skuadrës me dëshirën maksimale për të bërë mirë. Është shumë i rëndësishëm për ne, pasi ka kreativitet të jashtëzakonshëm dhe gjithmonë shpik diçka për të na nxjerrë nga situate”, tha Koeman.

Më pas trajneri holandez foli me superlativa edhe për paraqitjen e lojtarëve të caktuar si i riu Pedri dhe boshnjaku Pjanic, që mbrëmjen e djeshme u rikthye të luajë titullar në kampionat.

“Pedri shprehet më mirë kur luan në qendër të mesfushës. Pozicionohet mirë, qarkullon saktë dhe shpejt topin, dhe na krijon epërsi numerike me driblimet e tij. Dje më pëlqeu shumë edhe Pjanic, i cili ka pritur gjatë për shansin e tij. Luajti shpejt dhe saktë me topin, përveçse ishte perfekt në aspektin mbrojtës”, tha trajneri i Barcelonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat