Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është dënuar rëndë nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA).
Dënimi lidhet me ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, të zhvilluar më 14 nëntor në Prishtinë, e cila përfundoi me rezultat 0:0, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës B të Kombeve.
Sanksionet janë shqiptuar për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive, sjellje raciste ose diskriminuese, hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës dhe fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit.
FFK-ja është gjobitur me gjithsej 42 mijë e 250 euro, ndërsa është dënuar edhe me mbyllje të pjesshme të stadiumit për një ndeshje si vendase. Ky dënim është me kusht.
"“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s (CEDB) ka marrë këto vendime:
- Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 10.000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” (përkatësisht sektorit L2 ose sektorëve ngjitur me madhësi të barabartë, në rast se ndeshja zhvillohet në një stadium tjetër), gjatë ndeshjes së ardhshme të garave të UEFA-s, në të cilën Federata e Futbollit e Kosovës do të jetë organizatore, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese.
Ky dënim për mbylljen e pjesshme të stadiumit është pezulluar për një periudhë prove prej dy (2) vjetësh, duke filluar nga data e këtij vendimi.
Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 2.250 euro për hedhjen e gjësendeve.
Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 10.000 euro për shqetësimet e shkaktuara gjatë intonimit të himneve kombëtare.
Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 20.000 euro për transmetimin e një mesazhi që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive.
Shënim: Masat disiplinore të pezulluara për një periudhë prove nuk hyjnë në fuqi menjëherë, por mund të zbatohen nëse „gjatë periudhës së provës kryhet një shkelje tjetër e natyrës së ngjashme“ (neni 26, paragrafi 3, i Rregullores Disiplinore)”, kështu thuhet në njoftimin e UEFA-s.