Ish-futbollisti argjentinas Juan Sebastian Veron ka mbetur i mahnitur nga cilësitë e Nico Paz, duke e krahasuar talentin e ri me dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, Lionel Messin dhe Diego Maradonën.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Gazzetta dello Sport”, Veron ka vlerësuar potencialin e 22-vjeçarit që aktivizohet te Como, duke thënë se ai zotëron cilësi të rralla dhe se mund të arrijë majat e futbollit botëror.
“Në moshën 22 vjeç, ai bën gjëra që i kam parë vetëm Messin dhe Diego Maradonën t’i bëjnë. Nuk dua të them se ai do të arrijë ato nivele, duke përcaktuar një epokë siç bënë Diego dhe Leo, por Nico Paz ka cilësitë për ta provuar këtë sukses. Dhe i uroj suksese në arritjen e këtij qëllimi”, ka deklaruar Veron.
Paz po kalon një periudhë të shkëlqyer, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të dalluar të Serie A. Sezonin e kaluar, ai realizoi 12 gola dhe regjistroi shtatë asistime me Comon, ndërsa në edicionin aktual ka gjashtë gola dhe tetë asistime në 14 paraqitje në nivel klubesh.
Edhe me fanellën e Argjentinës, talenti i ri po dëshmon vlerat e tij, me pesë gola në pesë ndeshje këtë sezon, duke u konsideruar një prej kandidatëve për të marrë në të ardhmen fanellën me numrin 10 të Messit.
Veron ka veçuar veçanërisht personalitetin e Pazit në fushë, mënyrën se si kërkon topin dhe aftësinë për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare të lojës.
“Nico Paz ka talent të jashtëzakonshëm. E ardhmja është tërësisht e tija nëse ai vazhdon të veprojë me nivelin e tij aktual të profesionalizmit”, ka thënë ai.
Ish-mesfushori i Lazios, Parmës dhe Sampdorias ka bërë edhe një krahasim interesant mes vetes dhe futbollistit të Comos.
“Nuk më pëlqen të bëj krahasime me lojtarë nga epoka të ndryshme, por mendoj se Nico Paz është sikur ta zhvendosësh Veronin 20 metra përpara. Duke kërkuar gjuajtje, gola dhe asiste dhe atë topin e fundit në prapavijë”, është shprehur ai.
Megjithatë, Veron ka paralajmëruar se krahasimet me legjendat mund të jenë të dëmshme për zhvillimin e talenteve të rinj, duke përmendur rastet e futbollistëve argjentinas që nuk arritën të përballonin presionin e pritshmërive.
Ai ka përmendur edhe Franco Mastantuonon e Fiorentinës, duke vlerësuar se Serie A është ambienti i duhur për zhvillimin e tij dhe se të dy lojtarët mund të jenë pjesë e rëndësishme e së ardhmes së Argjentinës.
“Ne jemi vendi i numrave 10 dhe këta dy djem mund të na ndihmojnë të ëndërrojmë. Për sa kohë që i lëmë të rriten në paqe”, ka përfunduar Veron.